Për deputetin demokrat Ferdinand Xhaferaj, si Sali Berisha ashtu edhe Lulzim Basha mund të konsiderohen një domosdoshmëri për opozitën, por nuk mund të jenë më në krye të saj. I ftuar në studion e Tirana Live, Xhaferaj kërkoi hapa pas nga Berisha, duke theksuar se nuk është fundi i botës, ndërsa shtoi se Basha është në borxh me PD e ndaj duhet të vijojë kontributin e tij si deputet.
“Ka një stanjacion sepse ajo që kemi parë e ajo që shohim deri tani është që kishim një rikthim të z.Berisha që sistemoi veten në krye të Rithemelimit, po nuk risistemoi opozitën shqiptare për të përmbysur qeverisjen. Tani flitet për një rikthim të Bashës kur e kemi patur 8 vite dhe nuk ia doli dhe për cfarë duhet ky rikthim kujt i shërben. Pra, këto janë sistemime të individëe të caktuar. Basha nuk ka lindur për të qenë vetëm kryetar partie, ajo është një dhuratë që ia bëri Berisha. Është ndër të paktën që erdhi në 2005 pa asnjë kontribut thjesht për shkak të një dashurie personale a familjare të z. Berisha. Tani të vijojë të japë kontribut se i ka shumë borxhe PD-së. Dhe nuk është shqetësim sot as rikthimi I Sali Berishës e aq më shumë i Lulzim Bashës. Pse? Nëse do ia dilte Berisha të përmbyste qeverinë do i kërkonim falje por nuk ia doli. Këto kthimet për të sistemuar njërin apo tjetrin nuk vlejnë për asgjë.’ u shpreh Xhaferaj ndërsa theksoi se sot është domsdoshmëri kthimi i opozitës në alternative.
Ndër të tjera Xhaferaj kërkoi edhe nga Sali Berisha të bëjë një hap pas, duke e konsideruar si një domoshmëri për opozitën,por jo më lider të saj.
“Nuk ia doli dot në dy teste elektorale, atëherë duhet të reflektojë, nuk është fundi i botës të jesh një hap pas për të mirën e përbashkët. Është i domosdoshëm për opozitën, por jo në krye të saj. Po ashtu edhe Basha, po jo në krye se në krye nuk ia ka dalë dot.
Nuk është më cështje përshtypjesh. Berisha ka vlera, por cështja nuk shtrohet më për preferencat personale. Duhet të fitojmë zgjedhjet. Kjo është ajo c’ka na bën bashkë si grupim politik.
Mendoj se Berisha do reflektojë. Pavarësisht kthimeve dhe rikthimeve, ajo që duhet të prevalojë është axhenda e përgjithshme. Sot interesi i Berishës nuk integrohet me interesin e përbashkët, ndaj duhet të bëjë një hap pas.”-u shpreh Xhaferaj, ndersa komentoi edhe zërat se rikthimi i Bashës, shihet si një inskenim i Berishës.
“Është një raport mes babait dhe të birit.” shtoi ai shkurtimisht./abcnews.al