Rusi, dhunohet kryetarja e KQZ-së

schedule20:55 - 6 Shtator, 2019

schedule 20:55 - 6 Shtator, 2019

Kryetarja e KQZ-së në Rusi është sulmuar nga një agresor i maskuar, me një pistoletë elektrike. Sulmi ndodhi dy ditë para zgjedhjeve për pushtetin lokal të Moskës, ku janë përjashtuar partitë e opozitës.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rusi ka rënë pre e një sulmi fizik, dy ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve vendore të Moskës për të cilat janë zhvilluar protesta masive.

Sipas mediave ndërkombëtare, një person është futur në shtëpinë e Ela Pamfilova dhe e ka sulmuar atë disa herë me një pistoletë elektrike. Autoritetet ruse po hetojnë për të verifikuar nëse sulmi kishte të bënte me detyrën e saj, apo ishte një përpjekje për të vjedhur.

Pamfilova dhe kolegët e saj muaj më parë refuzuan të regjistronin kandidatët e opozitës për zgjedhjet lokale në Moskë, duke nxitur protesta masive në mbarë Rusinë. Kryetarja e KQZ-së, që më vonë doli në një konferencë shtypi, u shfaq para mediave në gjendje të mirë shëndetësore, por e tronditur.

Ajo tha se kishte marrë lëndime të lehta teksa ishte përleshur me agresorin, për të cilin tha se ishte i ri dhe se kishte hyrë në banesën e saj për të vjedhur. Ndërkohë, Aleksei Navalni, një nga figurat kryesore të opozitës që la qelinë pak kohë më parë deklaroi se agresioni ishte një inskenim i qeverisë ruse për të larguar vëmendjen nga puna që po bëhet në terren për të manipuluar zgjedhjet.

Navalni u bëri thirrje mbështetësve të tij që të votojnë me kujdes, në mënyrë që të reduktojnë pushtetin e partisë Rusia e Bashkuar, që mbështet presidentin Vladimir Putin./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!