Kina ekzekutoi tre burra të shpallur fajtorë për përdhunimin e të miturve, njoftoi sot Gjykata e Lartë Popullore e vendit.
Të dënuarit u afroheshin vajzave të mitura përmes një aplikacioni online, caktonin takime dhe i rrëmbenin për të kënaqur orekset e tyre të sëmura.
Rasti i parë përfshin një biznesmen në provincën Hubei, i cili u dënua për përdhunimin e shtatë vajzave, nga 6 deri në 14 vjeç, nga janari 2017 deri në gusht 2019. Katër prej tyre u përdhunuan në mënyrë të përsëritur, ndërsa dy adoleshente mbetën shtatzënë dhe abortuan.
Në rastin e dytë, një pedofil u shpall fajtor për përdhunimin e pesë vajzave, duke përfshirë tre nën moshën 14 vjeç dhe ngacmimin e 14 të miturve të tjerë nga fundi i vitit 2017 deri në janar 2019 në provincën Shandong. Sipas shkresave të lëndës, ai ka arritur t’i bindë viktimat që t’i dërgojnë foto të pahijshme dhe më pas i ka shantazhuar që t’i publikojnë nëse refuzojnë të kryejnë marrëdhënie me të.
Rasti i tretë kishte të bënte me një banor të Henanit, e cila gjithashtu ishte dënuar për përdhunim të vajzave të mitura nga tetori 2017 deri në gusht 2018. Ai iu afrua viktimave të tij përmes aplikacionit të mesazheve, u bënte foto të pahijshme dhe i shantazhonte për t’i shfrytëzuar seksualisht. Sipas shkresave të lëndës, ai i ka filmuar përdhunimet.
Në njoftimin e Gjykatës së Lartë Popullore të Kinës, nënvizohet se ekzekutimi i tre përdhunuesve dëshmon vendosmërinë e autoriteteve për mbrojtjen e të miturve, ndërsa u bën apel prindërve dhe mësuesve që të mbikëqyrin lundrimin e fëmijëve në internet. /abcnews.al