Përmbytjet në Itali nxorën në pah se ndryshimet klimatike po prekin Mesdheun

schedule11:57 - 22 Maj, 2023

schedule 11:57 - 22 Maj, 2023

Përmbytjet që shkatërruan vendbanimet në Italinë veriore dhe shkaktuan të paktën 14 viktima janë një tjetër shembull i motit ekstrem si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Zonat bregdetare të Emilia Romagna-s janë goditur rëndë dy herë, e para me shira të rrëmbyeshëm dy javë më parë, që për shkak të thatësirës së zgjatur, toka nuk mundi t’i përthithte, duke shkaktuar vërshimin e lumenjve.

Shirat e rrëmbyeshëm të kësaj jave ishin katastrofikë, me dëme materiale që kaluan 3 miliardë euro. Rajoni i Emilia Romagna ishte veçanërisht i prekshëm, për shkak të pozicionit gjeografik midis maleve Apenine dhe Detit Adriatik.

“Këto dukuri kanë qenë të vazhdueshme, por janë karakterizuar si të rralla”, tha kreu i mbrojtjes civile në rajon, Fabrizio Curzio.

Autoritetet njoftuan se 43 komunitete u prekën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, me më shumë se 500 rrugë u mbyllën. Italia veriore është prekur nga thatësira prej dy vitesh, pjesërisht për shkak të reshjeve të kufizuara të borës në muajt e dimrit.

Shkrirja e borës në Alpe, Dolomite dhe Apenine zakonisht mbronte liqenet e rajonit nga mungesa e ujit dhe ushqente lumin kritik “Po” dhe degët e tij.

Megjithatë, pakësimi i reshjeve të borës çon në një ulje të rezervave ujore, madje edhe me shi, toka bëhet e papërshkueshme, me shiun që merr me vete shtresat e sipërme të tokës, duke i çuar ato përmes përrenjve drejt detit.

Ministri i Mbrojtjes Civile Nello Musumeci tha se “normaliteti i ri i ndryshimeve klimatike në Mesdhe do të thotë që italianët duhet të përshtatin dhe riprojektojnë politikën e tyre për përmbytjet”.

Ministri përmendi Venedikun si shembull për t’u ndjekur, me ndërtimin e projektit ambicioz të digës kundër përmbytjeve MOSE, i cili lejon mbrojtjen e qytetit historik nga fenomeni i përmbytjeve ekstreme, i njohur si “acqua alta”.

“Nuk mund të pretendojmë se asgjë nuk po ndodh. Gjithçka duhet të ndryshojë: planifikimi, infrastruktura hidraulike dhe aftësitë e pompimit të ujit, si dhe e gjithë filozofia e këtyre projekteve”, tha Musumechi.

“Çelësi për të menaxhuar efektet e ndryshimeve klimatike është parandalimi, tha ministri italian.

/abcnews.al

 

Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike publikoi një raport nga shkencëtarë nga e gjithë bota në vitin 2021, sipas të cilit rritja e numrit dhe intensitetit të ngjarjeve ekstreme të motit është për shkak të aktivitetit njerëzor dhe industrial.