Vota e 14 majit është numëruar e gjitha. Me kutitë e fundit të numëruara në Kukës dhe Malësinë e Madhe u bë përmbyllja e këtij procesi, duke prodhuar rezultatin e vullnetit të 1.395.360 shqiptarëve. Ata kanë zgjedhur Partinë Socialiste jo vetëm si drejtuese të 53 bashkive të vendit, por i kanë dhënë shumicën edhe në këshillat bashkiakë, madje edhe në ato 7 bashki ku kryetari doli fitues nga kandidatët e opozitës.
Sipas të dhënave kombëtare, Partia Socialiste ka siguruar 757 mandate, duke i krijuar komoditetin e qeverisjes lokale pa pengesa. Subjekti i dytë më i votuar është koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë siguruar vetëm 292 mandate, ose më pak se gjysma e asaj që është fituar nga Edi Rama.
PD-ja e Alibeajt ka fituar vetëm 124 mandate në parlamentet lokalë nga 1613 vende që janë në mbarë vendin. Sa i takon votës politike, ajo shkon masivisht për Partinë Socialiste. Numrin dy që mbante Edi Rama e kanë votuar 578 mijë shqiptarë, ndërsa më pak se gjysma e tyre kanë zgjedhur të vendosin kryqin pranë emrit të Ilir Metës në koalicionin “Bashkë Fitojmë”. 247 mijë vota ka marrë kjo aleancë
Rezultati është akoma më i dobët për logon zyrtare të PD-së. Pranë emrit të Alibeajt në rreshtin e 9-të të fletës së votimit, kanë vendosur shenjë vetëm 103 mijë zgjedhës. Kjo do të thotë se PD u votua 5 herë më pak se sa PS, ose Alibeaj u mbështet politikisht sa gjysma e Berishës.
MANDATET SIPAS PARTIVE
Subjekte Mandate
Partia Socialiste e Shqipërisë 757
Bashkë Fitojmë 292
Partia Demokratike 124
Partia Socialdemokrate 115
Partia Agrare Ambientaliste 52
Partia Republikane Shqiptare 34
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 25
Total 1613