Britania dhe Gjermania: SHBA-ja duhet të vendosë për dërgimin e avionëve në Ukrainë

schedule18:40 - 17 Maj, 2023

schedule 18:40 - 17 Maj, 2023

Çdo vendim për dërgimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë duhet të merret nga Shtëpia e Bardhë, thanë ministrat e Mbrojtjes të Gjermanisë dhe Britanisë më 17 maj, pavarësisht se gjatë kësaj jave, Britania dhe Holanda njoftuan për një “koalicion” sa i përket avionëve luftarakë.

“I përket Shtëpisë së Bardhë të vendosë nëse dëshiron që të përdoret kjo teknologji”, tha sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallance, pas takimit me homologun e tij gjerman, Boris Pistorius, në Berlin.

“Varet nga Shtëpia e Bardhë… për të vendosur nëse duan që të dërgohen avionët luftarakë F-16 [të prodhimit amerikan]”, shtoi Pistorius.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak, dhe homologu i tij holandez, Mark Rutte, janë pajtuar që të formojnë një koalicion për avionët luftarakë gjatë takimit të tyre në samitin e Këshillit të Evropës që u mbajt më herët gjatë kësaj jave.

Ata thanë se do të krijojnë një “koalicion ndërkombëtar për t’i ofruar Ukrainës aftësi të luftimit ajror, duke i ofruar mbështetje për gjithçka, nga trajnimet e deri te blerja e avionëve F-16”.

Megjithatë, Wallace theksoi se Britania nuk ka avionë F-16 dhe shtoi se nuk planifikon që t’i dërgojë Ukrainës avionë nga flota e saj me Typhoon.

“Por, ne mund të ndihmojmë të tjerët që kanë mundësi” të dërgojnë avionë, tha ai.

Pistorius po ashtu tha se Gjermania nuk mund “të luajë rol aktiv” në një aleancë të tillë, “sepse ne nuk kemi aftësi për trajnime apo avionë”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, po ashtu tha gjatë samitit të Këshillit të Evropës, se ai nuk sheh asnjë “kërkesë” direkte për Gjermaninë kur bëhet fjalë për avionët luftarakë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë presion aleatëve që t’i dërgojnë shtetit të tij avionë luftarakë, në mënyrë që forcat e Kievit të mund të zmbrapsin forcat e Moskës, pas nisjes së pushtimin të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar.

Gjatë vizitës në Londër disa ditë më parë, Zelensky tha se është “shumë pozitiv” lajmi për krijimin e “koalicionit për avionët” luftarakë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!