Eksperti Enri Hide, i ftuar në emisionin “Lufta dhe Paqja” duke komentuar zhvillimet më të fundit në Ukrainë, tha se Rusia ka treguar një aftësi të dobët për të ripërtërirë arsenalin e saj.
“Rusia ka edhe një aftësi të dobët të ripërtëritjes së arsenalit të saj strategjik. Po nxjerr nga arkiva armë që nuk janë aq të reja. Sigurisht që Rusia është një superfuqi. Një shtet që ka kaluar nëpërmjet disa fazave të caktuara pas Luftës së ftohtë por pa dëmtuar rëndë arsenalin e dikurshëm. Ka pasuruar në kohë arsenalin e ri. Ajo që mund të vërejmë është se ka një aftësi të vogël të ripërtëritjes të arsenalit të saj. Po konsumon raketa më shumë se çfarë po prodhon.”, tha Hide.
Ndërsa Artur Meçollari shtoi se Kievi është më i mbrojtur se kurrë pasi ka një mbrojtje kundër ajrore të fuqishme.
“Ukraina ka një sistem mbrojtjeje me disa elementë, ku dy sisteme janë gjermane, një raketor dhe një mitroloz dhe sistemet e tjera vendase. Po presin edhe një sistem tjetër italian“, tha Meçollari.
Sipas kolonel Dritan Demiraj Rusia ka ndryshuar strategjinë.
“Në këtë moment, kemi një përmirësim të ndjeshëm me disa shtresa të mbrojtjes kundërajrore ukrainase, në sasi, cilësi edhe eksperiencë. Nga ana tjetër, sa më shumë zgjatet konflikti dhe sa më shumë stërviten ukrainasit, aq më shumë rritet edhe niveli dhe eksperienca në drejtim të mbrojtjes kundërajrore. Kemi ndryshim të strategjisë ruse në shtimin e sasisë të sulmeve me avionë bombardues dhe me helikopterë kundërtank. Sa më shumë që përmirësohet mbrojtja ajrore, aq më tepër rritet mundësia për rrëzimin e tyre.”, tha ai. /abcnews.al