Presidenca finlandeze e BE-së mbështet hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Duke folur në Parlamentin Europian, ministri i Jashtëm finlandez Peka Havisto ka deklaruar se BE nuk duhet të lejojë që një vakum eventual në Ballkan të mbushet nga faktorë të tjerë.
Një tjetër mesazh pozitiv vjen nga presidenca finlandeze për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian. Ministri i Jashtëm finlandez, Peka Havisto ka deklaruar para komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian se presidenca finlandeze mbështet hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ministri Havisto ka shpjeguar para eurodeputetëve se angazhimi për zgjerimin është i rëndësishëm për të mos lejuar krijimin e një vakumi në Ballkan dhe për të evituar shfrytëzimin e këtij vakumi nga faktorë të tjerë që nuk ndajnë të njëjtat vlera me Bashkimit Europian.
Këtë deklaratë, ministri Havisto e ka bërë gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës finlandeze në Parlamentin Europian.
“Ne në Finlandë mendojmë se zgjerimi është një instrtument i mirë për shpërnadrjen e vlerave dhe interesave tona të përbashkëta të Bashkimit Europian. Ballkani Perëndimor nuk është një vakum. Nëse ne nuk jemi aktivë atje, dikush tjetër do jetë. Dhe kjo është arsyeja përse ne e mbështesim hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne mendojmë se është një hap shumë i rëndësishëm. Ndërkohë që ne fokusohemi shumë në diskutimet tona te dalja e Britanisë së Madhe dhe rreziku që po humbim një shtet anëtar, ne duhet të kemi në mendje gjithashtu se kemi një grup vendesh që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Europian”, deklaroi Peeka Haavisto, ministri i Jashtëm finlandez.
Kryetari i komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian, Dejvid MekAlister është ndalur te bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Ai ka përshëndetur prezencën e përfaqësueseve të dy vendeve në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian me ata të Ballkanit Perëndimor në Helsinki.
“Ne pamë një shkëmbim mendimesh midis Ivica Daçiç dhe homologut të tij të Kosovës, zotit Pacolli. Ishte shumë pozitive që ata folën me njëri-tjetrin. Shpresojmë që pas zgjedhjeve në Kosovë të dyja palët do të mund të ulen sërish për bisedime. Çdo iniciativë e presidencës finlandeze në këtë drjeitm do të ndihmonte shumë”, tha eurodeputeti David McAlister.
3 shtetet anëtare të Bashkimit Europian mbeten sërish të përçara lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, ndërkohë që duket se ka një konsensus të përgjithshëm që Maqedonia e Veriut mund të marrë një datë për hapjen e tyre në tetor./ABC News Albania 24/7