Drejtuesja politike e qarkut të Shkodrës, Elisa Spiropali thotë se me fitoren e kandidatit socialist, Benet Beci, qyteti verior do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi turistik dhe ekonomik.
Gjatës fjalës së saj para mediave në ambientet e Partisë Socialiste, Spiropali u shpreh se Beci do e mbajë premtimin për ta bërë Shkodrën, kryeqendrën e veriut, portën e Shqipërisë nga Evropa dhe një perlë në rajon.
“Ne i kemi takuar pothuajse të gjitha komunitetet dhe jemi shumë mirënjohës për të gjithë aktivistët që na janë bashkuar në fushatë, të gjithë aktivistët e Partisë Socialiste, por edhe ata që na janë bashkuar nga forca të tjera politike, apo të paangazhuar, me qëllim madhor për të vazhduar përpara në të gjithë qarkun Shkodër. Sigurisht, në Shkodër është bërë një fushatë e cila tejkalon çdo pritshmëri, patjetër me përulësi, me një qasje të re ndaj Bashkisë së Shkodrës, e cila, jo siç thonë disa, ka rënë.
Në fakt, Shkodra është ngritur dhe Shkodra do të ngrihet në një nivel të ri zhvillimi turistik dhe ekonomik. Ne falenderojmë çdo votues, pavarësisht se për kë ka votuar. Nga Dukagjini në Velipojë, ne do t’u shërbejmë të gjithëve pa dallim dhe jam e sigurt se Beneti do ta mbajë premtinin, për ta bërë Shkodrën, kryeqendrën e veriut, portën e Shqipërisë nga Evropa dhe një perlë në rajon”, theksoi ajo./abcnews.al