Mihajloviç sërish në stol dhe pse i sëmurë me Leuçemi

schedule17:52 - 31 Gusht, 2019

schedule 17:52 - 31 Gusht, 2019

Trajneri i Bolonjës, Sinisha Mihajloviç, u ul për herë të dytë radhazi në stolin e skuadrës, edhe pse i sëmurë me leuçemi. Fitorja e bolonjezëve ishte tepër e vështirë, pasi ata u ndalën nga portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha.

Bëri më shumë sesa javën e kaluar.

Sinisha Mihajloviç ishte edhe në stërvitjen e Bolonjës së tij, në prag të duelit të Serisë A ndaj Spalit, padyshim me lejen e mjekëve, por sërish duke treguar forcën e karakterit.

Trajneri serb është i bindur se duhet të vazhdojë të sakrifikojë për një skuadër që e mori sezonin e kaluar, në prag të shkatërrimit, e shpëtoi në Serinë A, dhe tani dëshiron ta udhëheqë drejt sukseseve më të mëdha.

Po lufton sëmundjen e rëndë të leuçemisë, ndërsa pati edhe një të papritur tjetër.

Mori leje për të shkuar edhe në shtëpi, dhe gruaja e tij, Ariana, i kishte përgatitur një surprizë.

Pritje tepër e ngrohtë, me tullumbacë të vendosur kudo nëpër banesë, me njerëzit e shtëpisë të pranishëm dhe me shprehjet e mirëseardhjes në italisht dhe serbisht me shkronja qirilice.

Në stadiumin “Dal Ara”, po ashtu, atmosfera ishte e shkëlqyer.

Mbi 25 000 tifozë në tribuna, nga të cilët më shumë se 15 000 të abonuar, një shifër që nuk shihej prej 15 vjetësh, veçse Mihajloviçi gjeti në rrugën e tij drejt suksesit disa kundërshtarë, mes të cilëve portierin e kombëtares shqiptare, Etrit Berisha.

I transferuar nga Atalanta për të pasur minutazh në fushë, shqiptari i Kosovës bëri një ndeshje të shkëlqyer me të paktën dy pritje shpëtuese.

Ai u ndihmua edhe nga shokët e skuadrës së tij modeste, Spal të Ferrarës.

Natyrisht, nuk mungoi as fati, që është thuajse i domosdoshëm në futboll.

Gjithsesi, i duruari i fituari, dhe Bolonja e Mihajloviçit e arriti fitoren në minutën e tretë shtesë, shpërblim i një paraqitjeje mëse heroike.

Kënaqësi për Sinishën, me bolonjezët që vazhdojnë të jenë në vendet e larta të renditjes./ABC News Albania 24/7