Arrestimi i Fredi Belerit, vjen reagimi i parë nga drejtuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”

schedule11:04 - 12 Maj, 2023

schedule 11:04 - 12 Maj, 2023

Pas ndalimit të kandidatit për kryebashkiak në Himarë, Fred Beleri ka reaguar për herë të parë drejtuesi i Koalicionit Bashkë Fitojmë, Ilir Meta.

Kryetari i Partisë së Lirisë, në reagimin e tij shkruan se SPAK duhet që të veprojë ndaj dhjetëra Kryetarëve të Bashkive, që shkelin ligjin dhe vërtetohen si fajtorë.

Ndërkohë Meta në lidhje me arrestimin e Belerit, fajtor bën kryeministrin Edi Rama, që sipas tij është një sulm i paramenduar që çoi në rrëmbimin pas mesnate në mënyrë mafioze të kandidatit për Kryetar i Bashkisë në Himarë.

Pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe vetëm pjesëmarrje!

Ky ështe ilaçi ndaj një Kryeministri dhe një regjimi, që po jep shpirt dhe të tmerruar nga vota e lirë.

Ndërsa SPAK nuk vepron ndaj dhjetëra Kryetarëve të Bashkive, që shkelin ligjin dhe vërtetohen si fajtorë,  pas sulmeve të paramenduara dhe të inskenuara të Kryeministrit delinkuent, rrëmbehet pas mesnate në mënyrë mafioze Kandidati për Kryetar i Bashkisë në Himarë.

Të gjithë qytetarët dhe strukturat opozitare në Himarë të jenë në këmbë, të fuqizojnë në maksimum fushatën dhe të intensifikojnë kontaktet me zgjedhësit për të votuar masivisht dhe për t’i dhënë goditjen përfundimtare Kryeministrit, grabitësit dhe shkatërruesit më të madh për qëllime mafioze të pronave në Himarë dhe gjithë bregdetit të Jugut nga Vlora deri në Ksamil”, shkruan Meta.

Ndalimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, është bërë mesnatën e djeshme në ambientet e lokalit të tij, pas akuzës për shit blerje votash. Gjithashtu bashkë me Belerin janë arrestuar edhe avokati dhe shoqëruesi  tij, të cilët aktualisht sipas informacioneve ndodhen në drejtorinë e Policisë Vlorë./abcnews.al