Pioli optimist para “derbit”: Kam besim te skuadra, për Leaon do të vendosim nesër

schedule15:57 - 9 Maj, 2023

schedule 15:57 - 9 Maj, 2023

Në prag të “derbit të Madoninas” në gjysmë-finalen e UEFA Champions League mes Milan dhe Inter, trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli ka folur në konferencë për shtyp ku u ndal te dëmtimi i Leaos e ndërkohë u shpreh optimist për skuadrën e tij.

Pioli shtoi se ende nuk dihet nëse Leao do të luajë apo jo ndaj Inter. Sa i përket ndeshjes, ai e konsideron të barabartë dhe në të tilla takime nuk ka favoritë megjithëse ka besim te skuadra.

“Është derbi më i vështirë, sepse është një gjysmëfinale e Champions League. Por është gjithashtu bukur të përgatitesh, të përjetosh, të luash. Unë u përpoqa t’i përcjell përqendrimin dhe lumturinë skuadrës për të përjetuar këto momente. Pastaj është e qartë që nesër ne do të duhet të japim gjithçka për të marrë një rezultat të mirë. Duhet të kemi parasysh që do të luajmë 180 minuta. Duam që të luajmë dhe mendoj se mund të eliminojmë këdo.

Leao? Sot është stërvitur pak por ende nuk e dimë gjendjen e tij për ndeshjen e nesërme. Unë sonte do të fle i qetë por gjithsesi në mëngjes Rafa dhe doktori do të më njoftojnë rreth gjendjes së tij. Nëse është mirë do të thirret, përndryshe jo”,- u shpreh tekniku Pioli. /i.m /abcnews.al