Ish-drejtori i FBI-së në Shtetet e Bashkuara është kritikuar për shkelje të ligjit pasi ka publikuar informacione sekrete mbi kontaktet e tij me presidentin Donald Trump, kur ky i fundit i kërkonte të mbyllte një hetim mbi një nga këshilltarët e tij.
Ish-drejtori i FBI-së, Xhejms Komej është kritikuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për rrjedhje të informacioneve mbi ndërveprimet e tij me presidentin Donald Trump. Nga një hetim i realizuar Departamenti i Drejtësisë ka arritur në përfundimin se Komej kishte dështuar në përmbushjen e detyrës së tij për ruajtjen e informacioneve të klasifikuara. Departamenti deklaroi se Komej kishte shkelur rregullat e FBI-së, duke ia dhënë informacionin një miku të tij, që më pas ia kishte përcjellë një gazetari të “Nju Jork Tajms”. Megjithatë, kryeinspektori i Departamentit tha se nuk do të rekomandojë procedimin e Komej për shkeljen e kryer. Xhejms Komej ka qenë një kritik i zëshëm i presidentit Trump, që përpara se ai ta pushonte nga puna në maj të vitit 2017. Një raport i hartuar nga Departamenti i Drejtësisë sugjeron se, Komej i shkeli rregullat pas shkarkimit, duke shpërndarë pjesë të klasifikuara të një memorandumi mbi bisedat e tij me Trump. Ai kishte mbajtur kopje të memorandumit në një kasafortë në shtëpinë e tij dhe nuk kishte informuar FBI-në se kishte bërë një gjë të tillë. Memorandumi thuhet se përmbante bisedën ku Trump i kërkonte Komej të mbyllte hetimet e FBI-së mbi këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, Majkëll Flin. Ky i fundit u shkarkua më vonë për shkak të rolit të tij në kontaktet me zyrtarët rusë dhe u vetëdeklarua fajtor se kishte gënjyer FBI-në për takimet e zhvilluara me ta. /ABC News Albania 24/7