Mund të duket si një histori nëpër filma, por është e vërtetë. Ata sot janë miq prej 40 vitesh, por miqësia e tyre nisi në gjimnaz, më pas në Fakultetin e Mjekësisë. Madje, së fundmi, janë dekoruar të katër si ‘Qytetar Nderi’ në Kavajë. Të ftuar në “ABC e Mëngjesit”, katër mjekët, Dr. Drini Bardhi kardiolog, Dr. Arben Rrugia obsteter – gjinekolog, Dr. Adriatik Abdurrahmani kirurg kardiolog, Dr. Agron Sejdini pneumolog, ndanë detaje nga historia e tyre e shoqërisë.
“Historia fillon nga gjimnazi. Me Benin njiheshim çik më përpara, po në gjimnaz jemi bashkuar të katërt. Unë dhe Adriatiku kemi qene ne një klasë gjimnazi, Agroni dhe Beni në një klasë. Kemi qene në klasa paralele. Që nga ajo kohë, historia jonë është e pandarë. Kemi qene një brez, por në klasa të ndryshme.
Bënim jetë konviktori. Kemi qene te konviktet te 21 Dhjetori, viti i parë që u hapën atëherë, mbas Inxhinierisë së Ndërtimit. Ndërsa, specialitetet ishin pak të kufizuara. Për shembull, çfarë ofronte rrethi, unë kisha vendosur të kthehesha në Kavajë dhe ëndrra ka qene të bëhesha kirurg, por Kavaja nuk kishte salla në atë kohë. Edhe devijova, mora kardiologji se edhe kardiologu në atë kohë, doli në pension”, u shpreh Bardhi.
“Ne jemi njohur në shkollë të mesme dhe kemi qene shokë të mirë në sensin praktik. Kjo na ka mbajtur të bashkuar. Kështu që kemi qene gjithmonë të hapur me njëri-tjetrin”, u shpreh Abdurrahmani.
“Unë shkova në Moskë dhe përfundova specializimin për obstër gjinekolog për 4 vjet dhe u ktheva. Nuk më pëlqente klima. Bëra një vit specializim pastaj në Itali për kirurgji gjinekologjike dhe më vonë kur u ktheva në Tiranë, fillova mjek në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në 2006”, tha Rrugia.
“Unë dola i pari në shkallë rrethi dhe i 14-ti në shkallë republike. Kisha tre degë në dispozicion dhe zgjodha pneumologjinë, se më pëlqente shumë. E quaja veten të realizuar”, deklaroi Sejdini./abcnews.al