Ndryshojnë studimet në drejtësi

schedule15:19 - 29 Gusht, 2019

schedule 15:19 - 29 Gusht, 2019

Të diplomohesh për drejtësi në Universitetin e Tiranës që nga ky vit akademik duhet të përfundosh pesë vite studime. Pas 12 vitesh, Fakulteti i Drejtësisë shkëputet nga sistemi i Bolonjes me dy cikle 3+2 dhe nis me program të integruar studimesh.

Pas 12 vitesh ndryshojnë studimet në drejtësi. Këtë vit akademik, Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës shkëputet nga sistemi i Bolonjës që detyron cikël të parë dhe të dyte studimesh 3+2 dhe nis me program të integruar pesëvjeçar. Studentët e vitit të parë shpjegon Dekani Hoxha do të mësojnë me kurrikul të re, programe të riorganizuara dhe do të diplomohen për master të shkencave në drejtësi.

“Kanë avantazhin që në përfundim të këtij programi e kanë fushën e punësimit më të gjerë, por këta që përfundojnë këtë program, ata që përfudnojnë masterin e shkencave me programin e vjetër janë kandidatë për të vazhduar Shkollën e Magjistraturës dhe për t’u bërë gjyqtarë dhe prokurorë nesër”.

Ndryshimi i sistemit sipas dekanit Hoxha erdhi si nevojë e reformës në arsim dhe asaj në drejtësi.

“Ajo që ishte vënë re sipas rregullimeve të mëparshme ligjore ishte që programet e studimit kishin diferenca të shumta nga një universitet në një universitet tjetër.”

Këtë vit akademik në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës do të nisin studimet 640 të rinj. 200 prej tyre kanë mesatare 10 ndërsa fituesi i fundit 9.3. Megjithatë dekani Hoxha këshillon kandidatët poshtë vizës së kuqe të mos i humbasin shpresat, por të ndjekin me kujdes procesin.

“Kush e do drejtësinë  e kush do ta bëj në Fakultetin e Drejtësisë të ketë durim sepse ulja e vizës për fituesit që nuk regjistrohen ata do ta shikojnë që në fazën e parë që do të jetë e fortë”.

Raundi i parë i regjistrimit në shkollat e larta nis më 2 Shtator dhe përbëhet nga 7 faza 48 orëshe./ABC News Albania 24/7