Prokuroria për Krimet e Rënda ka çelur një dosje të re hetimore lidhur me trafikun e 613 kilogramëve kokainë të kapur vitin e shkuar në Durrës, në kontenierët me banane të “Arbi Garden”. Në këtë proces të ri, sipas burimeve nga organi i akuzës, do të hetohen porositësit e kokainës, sasia e së cilës përbën rekord në vendin tonë.
Mësohet se prokuroria ka disa emra të dyshuar, por për arsye të sekretit hetimor ata nuk bëhen të ditur. Burime të rezervuara nga organi i akuzës thanë se mes tyre ka edhe emra të njohur të botës së krimit.
Dosja për Arber Çekajn dhe dy të pandehurit e tjerë, punonjës të “Arbi Garden” i ka kaluar tashmë Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi Prokuroria mbylli hetimin, duke çuar para drejtësisë 3 të pandehur.
Ndërsa Arbër Çekaj është arrestuar dhe ndodhet ende në Gjermani, ku po lufton përmes gjykatave që t’i shmanget ekstradimit në Shqipëri./ABC News Albania 24/7