Duro flet i rezervuar pas fitores në Vlorë

schedule12:05 - 29 Gusht, 2019

schedule 12:05 - 29 Gusht, 2019

Kukësi duket se ka shanse më të mëdha për titullin, me lojtarët e rëndësishëm që ka në përbërje. Trajneri Duro ishte I lumtur me suksesin në Vlorë, por duhet të menaxhojë edhe konfliktet e mundshme nga konkurrenca.

Një lojtar të tillë thuajse e kanë pasur gjithnjë. Kukësi nuk ka vuajtur kurrë për një sulmues goli, dhe pas Pero Pejiçit, Sidrit Gurit apo Rezhinaldos, ja ku vjen Vasil Shkurtaj.

Vlonjati është në skuadër që prej janarit, por vetëm mund të thuhet se është përshtatur plotësisht dhe se po jep atë që pritet prej tij.

Ndëshkoi skuadrën e qytetit të tij, Flamurtarin, duke i shënuar dy gola, e duke e detyruar të shkaktojë autogol, pra padyshim ishte lojtari më i rëndësishëm në fushë, në suksesin 3-0 të veriorëve.

Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro mban tani vendin e parë në Superligë, me 6 pikë në dy javë, po aq sa Skënderbeu, por me golavarazh më të mirë.

“Fitorja tregon që është shumë e rëndësishme, por me thënë të drejtën kisha frikë ndeshjen në Vlorë ndaj një kundërshtari që mendoj nuk ka përgjegjësinë e Kukësit”, tha Duro.

Duro ka në dispozicion disa lojtarë shumë të mirë si Shkurtajn, Rrocën apo Gavazajn, por edhe Kristal Abazajn, që bëri debutimin për skuadrën e tij të re.

Hyrja në fushë e tropojanit, gjithsesi, shkaktoi një problem pikërisht me Gavazajn, të cilin e zëvendësoi, dhe shqiptari i Kosovës nuk e priti aspak mirë daljen nga fusha.

Mos vallë Duro do të ketë probleme pikërisht nga luksi? Trajneri nuk deshi të komentonte, dhe u përgjigj ndryshe.

“Abazaj ka cilësi të jashtëzakonshme. Është lojtar shumë cilësor. E rëndësishme është që të ambientohet me ritmin e skuadrës”, tha Duro.

Trajneri mund të ndihet i kënaqur dhe i sigurt pasi me lojtarë të tillë, shanset për të fituar titullin janë më të mëdha./ABC News Albania 24/7