Përplasja e radhës mes karteleve të drogës në Meksikë u ka marrë jetën mbi 20 personave. Ngjarja ka ndodhur në shtetin e Verakruzit, një aks mjaft i rrahur për kalimin e narkotikëve dhe qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara.
Të paktën 23 persona kanë mbetur të vrarë në një zjarr që përfshiu një lokal në shtetin Verakruz të Meksikës, një ngjarje të cilën policia e ka lidhur me veprimtarinë e karteleve të drogës. Mediat meksikane bëjnë të ditur se veç 23 viktimave, 13 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, disa prej të cilëve rëndë. Sipas burimeve mediatike, lokali fillimisht u qëllua me armë zjarri dhe bomba molotov përpara se të përfshihej nga flakët vrastare. Autoritetet në shtetin e Verakruzit kanë deklaruar se policia është vënë në kërkim të autorëve dhe kanë premtuar se ata nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar. Ndërkohë, prokurorët vendas kanë deklaruar se zjarri ishte pasojë e një sulmi burracak, por hetimet vazhdojnë. Në muajin prill, një sulm i ngjashëm u mori jetën disa dhjetëra personave në lokalitetin Minatitlan, kur një grup personash të armatosur hapën zjarr ndaj një bari të populluar. Dhuna e bandave, shpesh herë e nxitur nga trafiku i drogës, nuk është e rrallë në Verakruz, një nga shtetet më të dhunshme të Meksikës. Rajoni është një rrugë mjaft popullore për kalimin e drogës dhe të qënieve njerëzore që kanë si destinacion Shtetet e Bashkuara dhe bandat rivale shpesh herë luftojnë për kontrollin e territorit. Vitin e kaluar, një varr masiv me kafkat e të paktën 166 personave, viktima të luftës për drogën, u gjet në shtetin në fjalë. /ABC News Albania 24/7