Leverkusen është befasuar në shtëpi ndaj Koln, ku miqtë kanë mundur të fitojnë me rezultatin 1-2.
Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 14-të, ku Kainz asistoi për Selke dhe ky i fundit zhbllokoi shifrat.
Leverkusen reagoi shpejt, pasi në minutën e 28-të, Adli shënoi golin e barazimit falë asistimit të Diaby. Por përsëri, miqtë kundërpërgjigjen duke kaluar në avantazh në minutën e 36-të dhe ishte përsëri Selke i cili shënoi pas një asistimi nga Thielmann.
Ndeshja ishte tepër intensive dhe e ashpër, ku nuk munguan as kartonat e verdhë, me gjyqtarin kryesor i cili nuk i kurseu aspak.
Kjo humbje peshon shumë për Leverkusen, pasi i ndal hapin për t’u ngjitur akoma edhe më shumë në zonën evropiane. Aktualisht Leverkusen ndodhet në vendin e gjashtë me 48 pikë.
Ndeshje tjetër interesante ishte ajo mes Mainz dhe Schalke 04 e cila përfundoi me shifrat 2-3. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e miqve, pasi në minutën e 26-të Bulter shënoi golin e avantazhit.
Në fillim të pjesës së dytë, Mainz reagon duke barazuar shifrat në minutën e 53-të falë Barreiro. Festa nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 60-të ishte Krauss i cili shënoi golin e avantazhit.
10 minuta më vonë, konkretisht në të 70-tën, Mainz shënon golin e barazimit me anë të Martin. Ndeshja zgjati përtej kohës shtesë në fund, ku u akordua edhe një 11-metërsh për Schalke 04 dhe në minutën e 101-të ka shënuar golin e fitores me anë të Butler.
Ky rezultat ka qenë shumë i rëndësishëm për Schalke, pasi me këtë fitore, ata tashmë kanë dalë nga zona e kuqe dhe renditen në vendin e 14-të me 30 pikë./h.ll/abcnews.al