Qeveria e Serbisë ka miratuar masa që kërkojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme që “urgjentisht të përgatisë amendamente për Ligjin për armët dhe municionet”.
Amendamentet, siç u tha në njoftimin e Qeverisë serbe më 5 maj, do të ashpërsojnë kritere për posedimin e armëve të shkurta të zjarrit dhe ata që nuk plotësojnë këto kritere strikte, parashikohet blerja e detyrueshme e armëve.
“Këto masa po miratohen për të ulur për 90 për qind numrin e armëve të shkurtra që janë në posedim të personave juridikë dhe fizikë”, u tha në njoftim, shkruan REL.
Për më tepër, amendamentet e reja në ligj do të mundësojnë edhe kontrollet e detyrueshme të qytetarëve që kanë të drejtë të posedojnë armë, përfshirë edhe armë për gjueti.
Në kontrolle do të përfshihen kontrollet mjekësore, psikiatrike dhe psikologjike, por edhe teste të detyrueshme për substanca psikoaktive. Këto kontrolle do të bëhen çdo gjashtë muaj apo një vit.
Ministria e Punëve të Brendshme po ashtu do të shqyrtojë edhe ashpërsimin e kritereve për posedimin e armëve të gjuetisë.

