Presidenti i Brazilit Bolsonaro duket se ka ndryshuar qëndrim për sa i përket ndihmave të vendeve të G7-ës për situatën e zjarreve në Amazonë. Por, ai ka vendosur si kusht që fondet duhet të menaxhohen nga qeveria braziliane.
Brazili do të pranojë ndihmat ndërkombëtare për të luftuar kundër zjarreve në Amazonë vetëm nëse bëhet e qartë se buxheti dhe burimet financiare do të kontrollohen nga qeveria braziliane. Deklarata u bë nga zëdhënësi i presidentit Brazilian Bolsonaro pas ofertës për ndihmë nga ana e G7-ës.
Në një moment të parë Bolsonaro refuzoi 20 milionë euro ndihma që iu premtuan nga vendet e G7-ës të mbledhur fundjavën e kaluar në Biaritz, në Francë. Arsyeja ishin fjalët e thëna nga presidenti francez Emmanuel Macron, homologut brazilian, i cili aktualisht pretendon një kërkesë falje zyrtare.
Bolsonaro u shpreh se Macron duhet të tërheqë ofendimet që i kishte bërë pasi sipas tij i kishte thënë gënjeshtar. Para fillimit të samitit të G7-ës, presidenca franceze shpërndau një deklaratë të ashpër për media në të cilën shkruhej se Bolsonaro kishte gënjyer në samitin e G20-ës në Qershor në Osala duke vendosur të mos respektojë detyrimet e tij në kuadër të ndryshimeve klimatike./ABC News Albania 24/7