Polemika pas duelit Tirana-Teuta në Superligë

schedule12:15 - 28 Gusht, 2019

schedule 12:15 - 28 Gusht, 2019

Nuk shkoi e qetë ndeshja mes Tiranës dhe Teutës në Superligë. Trajneri vendas, Ardian Mema, pretendoi se ekipit të tij nuk iu dha një gol i rregullt.

Polemikat nuk vonuan të nisnin edhe këtë sezon. Është vetëm java e dytë, por barazimi në “Selman Stërmasi” solli pretendimin e Tiranës se iu mohua një gol ndaj Teutës.

Momenti ishte minuta e 22-të, kur Hoxhallari goditi shtyllën, dhe topi u dyshua se e kaloi vijën fatale. Pamjet e kamerës së Supersportit pas porte, sikur e vërtetojnë këtë gjë.

Kur më pas nuk shënohet asnjëherë, padyshim që ky çast mund të quhet fare mirë përcaktues, dhe nga pala e dëmtuar të ndihet keqardhje, edhe pse gabime të tilla ndodhin.

Këtë theksoi trajneri i Tiranës.

“Shpresoja të fitonim. Duke fituar edhe hapet oreksi, por që futbolli është i tillë, ka fitore, barazime edhe humbje. Jam i kënaqur me lojën e ekipit. Më vjen keq për ato dy shtylla. Njëra mendoj se ka qenë gol, e para sepse e pashë në televizor tani dhe m’u duk si gol”, tha Mema.

Në të vërtetë, kryeqytetasit pretenduar, besohet me të drejtë, edhe për një 11-metërsh, gjithnjë në pjesën e parë, kur Halili u shty në zonë.

Nuk bënë punë dy shtyllat, dhe presioni që vendasit ushtruan thuajse gjatë gjithë kohës, e duket se Mema kërkon kohë që të krijojë ekipin e duhur për të pretenduar maksimumin.

Po Teuta?

Durrsakët u duken disi inferiorë, edhe pse i kufizuan dëmet, duke marrë një barazim të çmuar në fushën e një rivali. Ata patën edhe momentet e tyre, sa për meritë, aq edhe për fat apo dhurata të tiranasve, por gjithashtu nuk mundën të shënonin.

Ç’mendim pati në përfundim trajneri Shkëmbi?

“Rezultat i mirë duke pasur parasysh kundërshtarin. Ne nuk kemi garë me Tiranën, kemi garë me të gjitha skuadrat e kampionatit. Do mundohemi të mbledhim sa më shumë pikë, të bëjmë lojë të bukur”, tha Shkëmbi.

Tirana me pretendime la kështu pikët e para, që mund t’i kushtojnë edhe pse është vetëm fillimi i kampionatit. Në radhë vjen ndeshja në Shkodër, që zgjon kujtimet e dy viteve më parë, kur bardheblutë u rrëzuan nga kategoria.

“Është një nga ditët e zeza të këtij klubi. Nuk është faji i Shkodrës. Ne do shkojmë në Shkodër siç do shkojmë në çdo qytet për ta fituar ndeshjen”, tha Mema.

Ndeshja në “Selman Stërmasi” ishte një maratonë, pasi në pjesën e parë ndodhi defekt në sistemin e ndriçimit, për të cilin u deshën 40 minuta që të rregullohej, madje pjesërisht, dhe ndeshja u luajt me ndriçim jo të plotë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!