Pas barazimit në ekstrem ndaj Cremonese, Stefano Pioli është shprehur i zhgënjyer pasi nuk priste këtë rezultat në shtëpi. Milan ka lejuar Interit të kalojë para në renditje dhe tashmë lufta për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm bëhet akoma edhe më e fortë.
“Jemi të zhgënjyer në mënyrë absolute. Ne nuk e donim këtë rezultat. Ndeshjet tani janë të pakta dhe nëse nuk ndërrojmë marshin do të luftojmë për të hyrë në top katërshe. Një pjesë e parë shumë e mirë, në të dytën na zuri gjumi, u nervozuam dhe humbëm kthjellësinë.
Në pjesën e parë ne e vumë në praktikë atë që kishim përgatitur dhe ishim të rrezikshëm. Pastaj prisja më shumë thellësi sepse kishte hapësirë. Ne e menaxhuam mirë topin dhe e kontrolluam mirë ndeshjen duke krijuar disa raste të mira, por nuk arritëm ta zhbllokonim ndeshjen.
Duhet ta transformojmë këtë zhgënjim në vendosmëri për ndeshjet e ardhshme.
Këto janë ndeshje vendimtare, ndoshta gabimi është këtu. Ne nuk po luanim vetëm kundër Cremonese sonte, por kundër Juves, Interit, Romës, Atalantës. Më pëlqeu pjesa e parë, pastaj në pjesën e dytë pushuam së luajturi si ekip./ h.ll/abcnews.al