I dyshuar si bashkëpunëtor në pengmarrjen e Jetmir Tarrellarit, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që të lërë në burg Leandor Panën. Jetmir Tarrellari u mor penga nga 4 të aferm të Leandros pasi kishte refuzuar t’u kthente borxhin prej 3 mijë eurosh. 4 të arrestuarit në Greqi i kanë kërkuar vëllait të Jetmirit Nëxhat Tarrellarit 10 mijë euro në këmbim të lirimit.
Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Leandro Panën, 24-vjeçarin e arrestuar në Tiranë si bashkëpunëtor në pengmarrjen e Jetmir Tarrellarit në Greqi.
Sipas organit të akuzës, 24-vjeçari është përgjuar teksa bisedon me burrin e tezes Xhemal Noka, të cilit i thotë që t’i marrë 10 mije euro, vëllait të Jetmir Tarrellarit, pasi ia kishte atij borxh.
Organi i akuzës e ka dërguar për ekspertim telefonin e Leandro Panës, për të vërtetuar nëse ky i fundit ka pasur dije për pengmarrjen që kishin kryer të afërmit e tij në Greqi. Denoncimi në polici është bërë nga vëllai i pengut Nexhat Tarrellari. Sipas organit të akuzës, shuma e borxhit që Jetmir Tarrellari i kishte të afërmit të Leandro Panës, ishte 3 mije euro, të cilat disa herë kishte refuzuar që t’ua kthente. Ndërkohë që 4 të arrestuarit në Greqi i kanë kërkuar që t’u kthente jo 3 mijë por 10 mijë euro. Organi i akuzës është në pritje të dokumentave zyrtarë nga policia Greke, për 4 personat që janë arrestuar në vendin fqinj. Më 28 gusht Gjykata e Krimeve të rënda do të zhvillojë seancën në mungesë për caktimin e masës së sigurisë për Xhemal, Nokën, B.Muçën, bashkëshorten e tij H.Muça dhe shtetasin M.M. Sipas burgimeve nga grupi hetimorë, Jetmir Tarrellari kishte udhëtuar drejt Greqisë për të takuar të dashurën H.Muça, por në vendin e takimit atë e takuan dy të afërm të saj, si edhe Xhemal Noka, i cili dyshohet se është ideatori i pengmarrjes. /ABC News Albania 24/7