Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko thotë se do të kërkojë votat e demokratëve të cilët janë kundër establishmentit politik.
Në emisionin “Bardh a Zi” në ABC News, Bejko u shpreh se nuk kërkon votë nga ata të cilët mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha.
Sipas Bejkos, Berisha përçau Partinë Demokratike dhe ka marrë me vete militantët.
“Ne jemi distancuar tërësisht nga pjesa e keqe e PD-së dhe siç e shikoni, ai që e ndau PD-në në dy pjesë, i mori të gjithë me vete, sepse në grupin tonë tashmë, të kryesisë, të grupit të deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe të Kolegjit të Kryetarëve, nuk kanë gjetur asnjë individ që të jetë i akuzuar në ndonjë korrupsion, për ndarjen e parave me oligarkët. Ne nuk e kemi këtë. Unë nuk dua as një votë nga ata që mbështesin Berishën. Unë do marr votat e demokratëve anti-establishment, që nuk janë matur akoma sa janë, edhe votat anti-Berishë nuk janë vënë në provë.
Unë e njoh edhe sociologjinë e Partisë Demoratike. Berisha ka marrë me vete shumicën e militantëve. Militant do të thotë që të mos mendosh me trurin tënd, por me trurin e kryetarit. Ndërsa, pjesa e heshtur, pjesa racionale ose ajo që unë quaj vota e arsyeshme, unë mendoj që është më shumë se sa militantët që mbështesin Berishën. Pjesa e zhurmshme, është e mirëpaguar”, theksoi ai./abcnews.al