PRISHTINË- Kosova dhe Serbia mbrëmjen e djeshme në Bruksel u pajtuan për të pagjeturit e luftës, por pika kryesore, e cila i ndau të dyja palët ishte modeli i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, një zë kritik ndaj kryeministrit Kurti, u shpreh në Abc News se dje nuk pati marrëveshje, por thjesht një deklaratë, brenda së cilës nuk referohet zhdukja me forcë dhe dhunë e qytetarëve gjatë luftës, në vitin 1998-99.
“Tani sigurisht që pritej janë ato që janë bazuar në marrëveshjen e së Brukselit dhe planin e ekzekutimit në Ohër që janë pajtuar të dyja palët, por siç e kam thënë se djalli jeton në detaje dhe u pa qartazi se dje edhe deklarata, që nuk është marrëveshja, por një deklaratë e përbashkët, përveç se në preambul në pjesën e obligimin e palëve në asnjë moment nuk i referohet zhdukjes me forcë dhe me dhunë, gjetjen e trupave të zhdukur, mbetjeve mortore, që është një dështim i radhës për atë se çfarë jemi marrë vesh”, tha ai.
Ai theksoi se formati i dialogut aktual është kundër interesit të sovranitetit dhe kushtetutshmërinë e Kosovës. Sipas tij, në këto kushte, Kosovës mund t’i duhen zgjedhje të reja politike, sepse Kurti nuk po u qëndron fjalëve dhe premtimeve të bëra në publik.
“Prioriteti i prioriteve në dialog është krijimi i asociacionit dhe kjo shkon qartë deri tek një statut, i cili do jetë problematik për ta sjellë në pajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e vendit. Formati i dialogut është qartazi jo në favorin e Kosovës. Marrëveshja në derivatet të saj është duke prekur kushtetutshmërinë dhe rrjedhimisht edhe sovranitetin. Qëndrimi i Kurti është për kritikë, sepse ajo që është thënë nuk është duke u realizuar. Rrjedha e procesit, pozicioni se çfarë është bërë në raport me dialogun, tani e vetmja hapësirë është që z. Kurti të shpallë zgjedhje të reja dhe të blejë kohë. Kjo nuk do pritet mirë në Bruksel, por Brukseli është i padrejtë për atë se çfarë është duke ndodhur në Ballkan sa i takon marrëveshjes. Unë nuk shoh zgjidhje nëpërmjet një qeverie teknike, që mund të jetë e arnuar që mund të sjellë një konsensus minimal. Mendoj se nëse duhet tek jemi të mençur diplomatikisht, na duhet të kthehemi te sovrani dhe të kërkojmë që në formë demokratike të krijojmë legjitimitet të ri, që të blejmë kohë ndaj asaj që është duke ndodhur. Kosovës i duhet kohë të riorganizohet”, u shpreh ai.
Deputeti i Vetëvendosjes shprehet se, Serbia me tentativat e saj të paepura për të krijuar Asocacionin me kompetenca ekzekutive në Kosovë nuk synon gjë tjetër, por kërkon të “shtrijë” dominimin e saj në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Realizimi i interesit të botës serbe ka fazat e veta dhe kjo do ishte një prej fazave më të rëndësishme në rikthimin e Serbisë në dominancat rajonale.Serbia me asociacionin me kompetenca ekzekutive, do bëhet “siguresë” e zhvillimeve të të gjitha formave në Kosovë ”, tha ai./n.m.abcnews.al