Brenda qytezës fantazmë

schedule09:25 - 27 Gusht, 2019

schedule 09:25 - 27 Gusht, 2019

Mediat ruse kanë publikuar pamjet e para nga qyteza siriane e Kan Sheikunit, që tashmë është sërish në duart e presidentit Asad. Qyteza është shndërruar në fantazmë, pas luftimeve të ashpra, 2 vitet e fundit mes forcave qeveritare dhe ekstremistëve islamikë.

Kjo qytezë e shndërruar në fantazmë është Kan Sheikuni në Siri, bastioni i fundit i ekstremistëve islamikë deri pak ditë më parë. Dikur popullohej nga rreth 34 mijë banorë. Sot, të vetmit që lëvizin nëpër rrugë janë ushtarët e Presidentit Bashar al-Asad dhe banorët e parë që kanë nisur të rikthehen në shtëpitë e rrënuara, siç duket në këtë reportazh të mediave ruse.

Banori: Ne u detyruam të largoheshim nga qyteza, pasi terroristët na bënin presion dhe na kërcënonin me vdekje. Na grabitën dhe na dogjën shtëpitë, nuk lanë asgjë. Tani po kthehemi të gëzuar.

Militantët e Al-Nusrës që pushtuan qytezën në vitin 2014, u tërhoqën plotësisht më 19 Gusht, pas rreth dy vitesh përleshjesh të ashpra me trupat qeveritare siriane.

Kan Sheikuni mori vëmendjen e gjithë mediave botërore në prill të 2017-ës, pas një sulmi me armë kimike që i mori jetën 94 banorëve. Perëndimi akuzoi forcat qeveritare siriane të mbështetura nga Moska se bombardoi me lëndë kimike të ndaluara nga konventat ndërkombëtare, pozicionet e rebelëve ekstremistë islamikë. Por qeveria e Bashar al-Asadit tha se lëndët kimike i kishin ekstremistët. Ato shpërthyen pas bombardimeve ajrore të ushtrisë siriane në ndërtesat ku i kishin fshehur.

Tv Klan