Greqi, qeveria heq kontrollet e kapitaleve

schedule19:10 - 26 Gusht, 2019

schedule 19:10 - 26 Gusht, 2019

Qeveria greke ka njoftuar të hënën shfuqizimin e masës së kontrollit të kapitaleve, e vendosur në vitet e krizës për të kontrolluar lëvizjet monetare. Kryeministri Micotaqis deklaroi se kjo lëvizje do të ndihmojë në tërheqjen e investimeve dhe në rritjen e aftësive huamarrëse të Greqisë.

Greqia ka hequr të gjitha kufizimet në qarkullimin e kapitaleve monetare, një masë që ishte vendosur në qershor 2015 dhe që lejonte një numër të caktuar transaksionesh bankare. Ka qenë vetë kryeministri grek, Qiriakos Mitsotaqis që ka njoftuar heqjen e kontrolleve në qarkullimin e kapitaleve. “Në bashkëpunim me Bankën e Greqisë rikthejmë normalitetin e plotë në qarkullimin e kapitaleve. Capital controls, nga sot, i përkasin së kaluarës”, deklaroi Mitsotaqis të hënën në mesditë, nga tribuna e Parlamentit. Kryeministri grek shtoi se ky ishte një angazhim i planifikuar nga konservatorët, që bëhet realitet para afatit që ishte caktuar. “Sot mbyllet një cikël pasigurie dhe në të njëjtën kohë hapet për vendin një cikël i ri optimizmi”, nënvizoi Mitsotaqis. Analistët vlerësojnë se normalizimi i lëvizjes së kapitaleve do të ndihmojë në rritjen e besimit, tërheqjen e investimeve dhe shtimin e aftësisë huamarrëse të ekonomisë greke. Kontrolli në qarkullimin e kapitaleve u vendos nga qeveria Tsipas në qershor 2015, kur dështuan negociatat me kreditorët për t’i bërë një zgjatje pa kushte të reja programit të shpëtimit të Greqisë. Me vendosjen e “kapital kontrolls”, qytetarët për muaj me radhë tërhiqnin nga llogaritë e tyre bankare vetëm 60 euro në ditë. Kufizimet nisën të çliroheshin gradualisht pas vitit 2017. /ABC News Albania 24/7