Sulmet ajrore, të shtëna me armë dhe shpërthime tronditën sërish Kharotum sot, pavarësisht shpalljes së një armëpushimi midis ushtrisë dhe paraushtarakëve që e kanë zhytur Sudanin në një situatë humanitare që është afër “kolapsit”, sipas OKB-së.
Mbi Khartoum, kryeqyteti i pesë milionë njerëzve, “avionë luftarakë po fluturojnë” ndërsa të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime dëgjohen në rrethe të ndryshme, thanë dëshmitarët okularë për AFP.
Luftimet, të cilat shkaktuan qindra viktima shpërthyen më 15 prill midis dy gjeneralëve që kanë sunduar vendin që nga grushti i shtetit të tyre në vitin 2021, duke bllokuar miliona sudanezë.
“Shkalla dhe shpejtësia me të cilën po zhvillohen ngjarjet në Sudan është e paprecedentë,” tha OKB-ja.
Kreu i forcave të armatosura Abdel Fattah al-Burhan dhe kreu i Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) Mohamed Hamdan Daglo, i njohur si Khamedi, kishin rënë dakord për të zgjatur armëpushimin treditor në mesnatën e djeshme, të dielën, pas “ndërmjetësimit të Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite”, sipas forcave të armatosura sudaneze.
528 persona kanë humbur jetën si pasojë e konflikit, ndërsa numri i të plagosur ka shkuar në 4599, sipas shifrave zyrtare.
Sipas informacioneve, 75,000 persona janë zhvendosur brenda vendit. Të paktën 20,000 janë zhvendosur në Çad, 6,000 në Republikën e Afrikës Qendrore dhe mijëra të tjerë në Sudanin e Jugut dhe Etiopi.
Një total prej deri në 270,000 njerëz , sipas një vlerësimi të OKB-së, mund të kenë ikur nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar luftimeve, të cilat po prekin 12 nga 18 shtetet në këtë vend me 45 milionë banorë.
Shumica e spitaleve të vendit nuk funksionojnë. Për ata që ende operojnë, “situata është e padurueshme” sepse materialet mungojnë, tha për AFP Mazoub Saad Ibrahim, një mjek në Ad-Damir, në veri të Khartoum.
Vendet duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara kanë larguar shtetasit e tyre dhe të huajt e tjerë.
/abcnews.al