Këtë fund Gushti urgjenca e Pediatrisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, por dhe qendrat shëndetësore në kryeqytet po përballen me fluks fëmijësh që kërkojnë ndihmën e mjekëve. Bluzat e bardha thonë se temperaturat e larta dhe plazhi ka ndikuar në përhapjen e virozave.
Prindër bëni kujdes! I nxehti dhe mbipopullimi i plazheve apo pishinave ka ndikuar në përhapjen e virozave tek fëmijët.
“Ka prekur fëmijë të grupmoshave të ndryshme që nga fëmijët 6 muajsh e lartë”.
Vetëm në qendrën shëndetësore numër 10 në Tiranë çdo ditë paraqiten rreth 50 fëmijë ndërsa në urgjencën e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përgjatë 24 orëve të fundit 250 paciente të vegjël kanë kërkuar ndihmën e mjekëve.
“Shkaku është ngritja e temperaturave, ushqimet e shpejta, frekuentimi i plazheve, i pishinave i bën që këto viroza të përhapen në shpejtësi të madhe. Lëngjet duhet të pinë 1.5 litra deri në 2 litra në ditë. Konsumimi i frutave dhe perimeve të lara mirë”.
Nëse i vogli shfaq ndonjë nga këto shenja mjekët sugjerojnë një konsulte me specialistin.
“Fëmija vjell disa herë gjatë ditës, ka diarre, ka një temperaturë relativisht mbi 38.5”.
Viroza zgjat deri në pesë ditë dhe shoqërohet me temperaturë të lartë./ABC News Albania 24/7