Tre dekada pas rënies së Murit të Berlinit, lind pyetja: A duhet të ngrejë Bashkimi Europian barriera për të mbrojtur kufijtë e tij të jashtëm?
Realiteti është se unioni po e bën tashmë këtë gjë.
Gjatë 8 viteve të fundit shtetet anëtare kanë ndërtuar më shumë se 1700 kilometra mure për të mbrojtur veten jo kundër tankeve apo ushtarëve, por kundër emigrantëve dhe refugjatëve.
Por kush po paguan për to?
A duhet që fondet europiane të financojnë barrierat prej çimentoje, çelikut dhe telit me gjemba në të njëjtën mënyrë siç financojnë blerjen e radarëve dhe dronëve?
Debati është i zjarrtë, por përfundimet e takimit të fundit të Këshillit Europian më 9 shkurt, sugjerojnë se po fitojnë terren ata që mbështesin një qasje më të ashpër ndaj emigrantëve.
Duke filluar nga viti 2015, shumë vende nisën të ndërtojnë mure, sidomos në Ballkan për të penguar hyrjen e emigrantëve nga Siria, Iraku dhe zona të tjera në konflikt.
Komisioni Europian, dhe vende si Spanja dhe Gjermania, janë kundër përdorimit të parave të BE-së për të ndërtuar më shumë mure. Ata besojnë se ekzistojnë mjete më efektive për të frenuar emigracionin e parregullt, raporton abcnews.al.
Por ata që janë në favor të tyre, të kryesuar nga grupi i Vishegradit i përbërë nga Republika Çeke, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria dhe të mbështetur nga Italia, Greqia dhe Austria, e argumentojnë pozicionin e tyre duke përdorur një lloj logjike të brendshme: që të jemi në gjendje të mbyllim dyert, ato duhet së pari ato të ekzistojnë.
Tundimi për të ndarë botën në parcela tokësore dhe detare, ka qenë gjithnjë i pranishëm në Bashkimin Europian. Ai është formësuar duke eliminuar kufijtë e brendshëm dhe duke forcuar ata të jashtëm.
Nervozizmi në lidhje me këta kufij të jashtëm rishfaqet rregullisht. Takimi i fundit i Këshillit Europian, është një shembull, ndërsa episodi i mëparshëm ishte pak më shumë se një vit më parë, kur në tetorin e vitit 2021 ministrat e brendshëm të 12 vendeve i shkruan një letër Komisionit Europian, duke kërkuar që të jetë prioritet studimi se si të financohet ndërtimi i “pengesave fizike” për kufijtë e jashtëm.
Këto të fundit kanë mbrojtur për dekada një pjesë të kufirit të jashtëm të Evropës. Enklava spanjolle Ceuta në Afrikën e Veriut (1993) dhe Melila (në vitin 1996), ishin ndër të parat që u ngritën. Më pas, këto barriera janë zgjeruar për të mbuluar më shumë se 2000 kilometra.
Për shembull Bullgaria, vendi më i varfër në BE, ka ndërtuar një gardh që shtrihet në rreth 98 për qindtë kufirit të saj me Turqinë.
Kriza e refugjatëve e vitit 2015, me ardhjen e më shumë se 1 milion njerëzve shumë prej tyre të ikur nga lufta në Siri solli një shtysë të re për të ndërtuar mure për të ndaluar ata që përpiqeshin të hynin në kontinent, raporton abcnews.al.
Gardhet u shtuan në Hungari, Letoni, Slloveni, Austri, dhe madje edhe në Francë. Vite më vonë, kur emigracioni ra në nivele relativisht të ulëta, Europa pa sesi partnerët dhe fqinjët e përdorën çështjen e emigracionit si një armë për të destabilizuar kontinentin dhe për të kërkuar lëshime.
Kjo ndodhi në vitin 2020, kur Turqia hapi kufijtë e saj dhe e kërcënoi Europën me ardhjen e miliona refugjatëve, dhe kur Maroku lejoi më shumë se 10.000 njerëz të kalonin në Ceuta në majin e vitit 2021.
Episodi i fundit, i përshtatur në terma luftarakë si një “kërcënim hibrid”, ndodhi në verën dhe vjeshtën e vitit 2021, kur Bjellorusia inkurajoi dhjetëra mijëra njerëz të hynin në Poloni, Lituani dhe Letoni gjatë krizës kufitare Bjellorusi-Bashkimi Europian 2021-2022.
Përgjigja ishte ndërtimi ose zgjerimi i mureve qindra kilometra të gjatë midis 3 vendeve dhe Bjellorusisë. Tani, lufta në Ukrainë ka ringjallur në disa vende frikën se Moska po e përdor emigracionin si një armë shtesë në arsenalin e saj kundër Europës.
Finlanda ka njoftuar tashmë planet për të ndërtuar një gardh në kufi me Rusinë, duke qenë se ka kufirin më të gjatë nga të gjitha shtetet me atë që është vendi më i madh në botë për nga sipërfaqja.
Bashkimi Europian nuk ngurron të investojë shuma të mëdha parash për të frenuar flukset e emigrantëve.
Si shembull është fondi prej 6.7 miliardë eurosh, që Komisioni ka caktuar për menaxhimin e kufijve në vitet 2021– 2027. Por deri më tani, pagesa për muret prej çeliku dhe me tela me gjemba ishte një temë tabu.
Direktiva europiane është e paqartë dhe megjithëse disa burime të BE-së thonë se nuk do të kishte asnjë pengesë ligjore për financimin e barrierave fizike, Komisioni sërish nguron.
Ndërkaq, muret po e ndajnë tashmë Europën edhe ideologjikisht. Presidentja e KE, Von der Leyen ndryshon nga linja e ndjekur nga familja e saj politike, Partia Popullore Europiane (EPP), një nga mbështetësit kryesorë të ndërtimit të gardheve. Por sipas burimeve të BE-së, refuzimi i Komisionit për të ndarë fonde evropiane për ndërtimin e tyre është gjithashtu një pozicion pragmatik.
Ngritja e mureve mijëra kilometra të gjatë do të kushtonte jo pak para, të cilat mund të shpenzohen për projekte të tjera.
Për shembull, Brukseli beson se është shumë më efikase që ato të investohen në marrëveshje me vendet e origjinës së emigrantëve të parregullt, në mënyrë që të pranojnë kthimin e shtetasve të tyre, raporton abcnews.al.
Argumentet e atyre që kundërshtojnë muret janë të ngjashme:janë të kushtueshme, përçarëse,dhe jo vetëm që nuk i pengojnë njerëzit t’i kapërcejnë ato, por nxitin gjithashtu krijimin e rrugëve të reja, më të gjata, më të kushtueshme dhe më të rrezikshme, duke prodhuar dy fitues të qartë:kompanitë që i ndërtojnë, dhe trafikantët që i anashkalojnë.
“Muret dhe barrierat funksionojnë rrallë aq mirë sa shpresohet”- thotë Klaus Dods, profesor i gjeopolitikës në Universitetin “Royal Holloëay” në Londër dhe autor i librit “Luftërat kufitare:Konfliktet e së nesërmes”.
“Ato nxitin ankesa dhe zemërimi që ekziston mes emigrantëve dhe u japin shpresa të rreme komuniteteve lokale”, thekson ai.
Eksperti beson se ato marrin “një rëndësi simbolike të ekzagjeruar” dhe shton se “ndërsa qeveritë duan të shihen nga publiku se po bëjnë diçka, për komunitetet që jetojnë në të dy anët e një kufiri, siç është zona kufitare SHBA-Meksikë, situata mund të jetë e ndërlikuar, pasi familjet dhe komunitetet kanë lidhje me të dyja anët, dhe muri vepron si një plagë që nuk shërohet”.
Edhe Gil Arias, ish-drejtor ekzekutiv i Frontex, është skeptik kur flitet për gardhet. “Pengesat fizike nuk kanë qenë kurrë një pengesë radikale. “Ne e kemi parë këtë në Ceuta dhe Melillandër vite”, shprehet ai. Arias beson se kufijtë duhen mbrojtur me inteligjencë dhe jo me tela me gjemba.
Ndërkohë, muret sjellin pasoja të drejtpërdrejta në lidhje me respektimin e të drejtave dhe dinjitetit të emigrantëve dhe aftësisë së tyre për të kërkuar azil, kur ata ikin nga luftërat dhe konfliktet. Për shkak të tyre kanë ndodhur shumë tragjedi, disa prej tyre në Spanjë, raporton abcnews.al.
E fundit dhe më e rënda ishte 24 qershori i vitit kaluar, kur të paktën 23 persona humbën jetën në përpjekje për të kaluar kufirin nga Nador në Melilla. Debati mbi të nuk do të marrëfund lehtë. Për profesor Dods, ekziston rreziku që muret dhe gardhet vetëm sa “do të ndezin më tej pasionet”, dhe do të vazhdojnë të shtyjnë debatet që janë më urgjente mbi vendbanimin afatgjatë të komuniteteve nga e gjithë bota, të cilët të prekur nga lufta, fatkeqësitë natyrore dhe ngrohja globale.
/abcnews.al