Studioja e arkitektit japonez “Kengo Kuma” u shpall dje fituese e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, u shpreh se “qasja unike arkitekturore e studios japoneze do të jetë një vlerë e shtuar për Parkun Kombëtar të Butrintit”.
“Përfshirja e arkitektit të madh Kengo Kuma në rrugën tonë të transformimit rrënjësor të Shqipërisë është një tjetër konfirmim i përmbysjes së imazhit të vjetër të vendit tonë dhe i rritjes së një reputacioni dinjitoz ndërkombëtarisht”, theksoi Rama.
“Kengo Kuma and Associates” u shpall fituese e konkursit ndërkombëtar mes 4 studiove të arkitekturës për hartimin e projektit për Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Titulli i projektit është ‘Urat’. Qendra rreth 1000 metra katror, do të konceptohet si porta hyrëse. Është konceptuar që të jetë 1.5 km nga hyrja aktuale për t’i dhënë frymëmarrje hyrjes në Butrint. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nuk kurseu ironinë për opozitën duke thënë se i fton të bëhen pjesë e ndryshimit.
“Ofrimi i shërbimeve do të kërkojë më shumë punonjës dhe kjo është e rëndësishme për ne. Për shumicën që e dëshirojnë projektin, është vetëm fillimi i idesë sonë për administrimin të një pasurie që i tejkalon kufijtë e vendit tonë ndërsa për korin e kasandrave që nën qyrkun e një nacionalizmi ndonjëherë të dalë boje apo një shqiptarie false, dua të them që me dashamirësi i ftoj sot që të bëhen pjesë e epokës së re të ndryshimit”, tha Margariti.


