Përkundër rritjes së seancave gjyqësore produktive, sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me vonesa, procese që zgjasin, dënime të ulëta e rigjykime, këto janë të dhëna që janë përsëritur në vazhdimësi në raportet e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), pasi rekomandimet nuk kanë mundur të zbatohen në tërësi. Ndërkohë që përfaqësues të institucioneve të drejtësisë thonë se ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë janë të nevojshme në mënyrë që të përmbushen rekomandimet.
Shefi i njësisë së monitorimit të rasteve në EULEX, Hubert van Eck Koster, thotë se deri në fund të këtij viti do të vlerësojnë përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të dala nga tri raportet e misionit për sistemin e drejtësisë.
Ai tregon se gjatë monitorimit kanë vërejtur një trend të rritjes së seancave dëgjimore produktive. Derisa shton se dënimet e ulëta, proceset që zgjasin janë pikat ku do të donin të shihnin progres më shpejtë.
Ajo që e përkeqëson edhe më shumë situatën, sipas Koster është fakti se ende ka shumë rigjykime. Sipas tij, fokus më i madh duhet dhënë edhe rasteve të korrupsionit.
“Gjetjet kryesore të raportit të monitorimit të njësisë monitoruese të EULEX-it në fakt janë shumë të gjera sepse mbulojmë shumë tema, por nëse më duhet të bëj një përzgjedhje të asaj që është më e rëndësishme është ajo që e pamë, dhe kjo është një tendencë e mirë, një trend në rritje i seancave dëgjimore produktive, dhe një seancë produktive do të thotë se një seancë zhvillohet, dhe në fakt po bëhen disa hapa proceduralë, ishin deri në 26% të seancave joproduktive nga 350 seanca sa kemi monitoruar, dhe në raportet e mëparshme, kjo ishte 30 dhe madje 50% e seancave joproduktive. Pra, ne shohim një hap pozitiv. Megjithatë, në të njëjtën kohë ne jemi ende duke parë se shumë procese gjyqësore po zgjasin shumë. Kur them po zgjasin shumë, dua të them me të vërtetë një kohë të gjatë, zgjasin me vite për fat të keq, dhe ajo që e përkeqëson edhe më tej është se ka ende shumë, shumë rigjykime. Pra, kjo është ende një fushë ku ne duhet të shohim disa përmirësime, dhe sigurisht, fokusi specifik që po kërkojmë janë rastet e korrupsionit. Dhe në rastet e korrupsionit, për fat të keq, ne ende shohim një trend të gjykimeve që zgjasin shumë, por edhe gjykime në të cilat shohim shumë lirime, apo dënime të ulëta, apo edhe siç e përmenda, shohim edhe shumë e shumë rigjykime. Pra, mendoj se në fushën e korrupsionit ka ende shumë për të arritur”, thotë ai derisa shton se presin të shohin më shumë raste që po përfundojnë.
Raportin monitorues të sistemit të drejtësisë Nëntor 2021 – Shtator 2022 të EULEX-it po e konsideron kredibil kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj.
Ai thotë se raporti ka identifikuar çështje të cilat janë temë e Këshillit.
“Raportin e EULEX-it ne e kemi pranuar prej misionit dhe e vlerësojmë si kredibil për shkak se mbështetet nga monitoruesit ekspertë që e bëjnë monitorimin e seancave gjyqësore dhe në përgjithësi të proceseve gjyqësore në gjykatat tona…Raporti ka identifikuar çështje, të cilat janë temë e diskutimin edhe në KGjK dhe në gjykata dhe në kontekstin e këtij raporti, por edhe të raporteve të mëhershme, duhet të theksojmë se KGjK ka miratuar planin për qasje në drejtësi vitin e kaluar dhe planin e veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto dy raste ne i kemi identifikuar dhe i kemi pranuar në fakt edhe rekomandimet e misioneve ndërkombëtare që monitorojnë drejtësinë në Kosovë, siç është çështja se si duhet të administrohet një proces gjyqësor, çështja e dështimit të seancave, çështja e qasjes së avokatëve në procese gjyqësore, që në shumë raste seancat dështojnë për shkak të mungesës së tyre apo në disa raste të mosrespektit të gjykatës, masat që duhej të merreshin nga ana e gjykatave, dështimeve që kemi për shkak të prokurorëve në çështje gjyqësore që është një çështje e rëndësishme… Dhe, përveç kësaj, ne kemi themeluar edhe Komisionin e monitorimit të strategjive, që përbëhet nga pesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe të cilët kanë një komunikim me secilën gjykatë dhe me secilin gjyqtar. Në këtë rast, ky raport i ka ndihmuar edhe këtij komisioni, i cili është i informuar me punën që e ka bërë misioni i EULEX-it dhe identifikimet që i ka bërë dhe tash po adresohet në gjykata”, thotë Zogaj.
Sipas raportit, prokuroritë dhe gjykatat duhet të monitorojnë në mënyrë më sistematike procedimin e rasteve të profilit të lartë, t’i bëjnë të ditura procedurat jashtëzakonisht të gjata dhe rigjykimet e përsëritura, t’i identifikojnë shkaqet e këtyre vonesave dhe t’i korrigjojnë ato.
Sa i përket përmbushjes së rekomandimeve nga institucionet përkatëse të drejtësisë, shefi i njësisë së monitorimit të rasteve në EULEX thotë se për moszbatimin e tyre duhet të ketë më pak justifikime.
“Ka lloje të ndryshme rekomandimesh, disa janë shumë teknike, ndërsa disa varen për shembull nga një ndryshim në legjislacion, kështu që nuk mund të ndodhin brenda natës. Pra, për ato rekomandime duhet që të presësh për pak kohë deri sa të krijohen procedurat ligjore, ndryshimet ligjore, por disa rekomandime të tjera mund të zbatohen menjëherë. Pra, këto janë ato në të cilat do të fokusohemi fillimisht, për moszbatimin e tyre duhet të ketë më pak justifikime, por ne po punojmë vërtet si partnerë dhe nuk është diçka që ne e japim vetëm si raport dhe të themi se ‘këto janë rekomandimet’. Jo, tani me të vërtetë dëshirojmë të punojmë së bashku me institucionet në mënyrë që t’i ndihmojmë në zbatimin e këtyre rekomandimeve…Pra, konkretisht gjykata por edhe prokuroria po punojnë shumë mirë bashkë… Në përgjithësi, bashkëpunimi është shumë i mirë dhe më duhet të ritheksoj konkretisht bashkëpunimin me Këshillin Gjyqësor, sepse mendoj se ka një gatishmëri të madhe edhe për t’u përmirësuar dhe për të ndjekur rekomandimet tona, dhe ne me të vërtetë presim bashkëpunim të mëtejshëm për këtë qëllim”, shprehet ai.
Ndërkohë që Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë disa hapa reformues, të cilët, siç thonë nga ky dikaster, kanë të bëjnë me llogaridhënien dhe besimin në sistemin e drejtësisë, nga EULEX deklarojnë se në fund të këtij viti do të vlerësojnë përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të dala nga tri raportet e monitorimit të Misionit.
“Kjo është një pyetje shumë e mirë, pra është një pyetje e mirë sepse kjo është pikërisht diçka që ne po kërkojmë tani. Siç mund ta dini, ne tashmë kemi publikuar tre raporte, raporte publike, me rekomandime të shumta, dhe sigurisht kemi dashur t’u japim kohë edhe institucioneve për t’i zbatuar ato. Pra, ne nuk shikuam menjëherë për zbatimin, por për raundin tjetër, deri në fund të këtij viti, ne do ta bëjmë pikërisht këtë. Ne do të vlerësojmë zbatimin e të gjitha rekomandimeve nga tre raportet e mëparshme, pra jo vetëm nga raporti i fundit, por edhe nga dy raportet e mëparshme. Dhe, një nga rezultatet është siç mendoj unë, dhe shpresoj, siç sapo e përmenda, seancat dëgjimore produktive dhe joproduktive, kjo është diçka që është shumë e lehtë për t’u zgjidhur dhe shumë konkrete, dhe besoj vërtetë se kjo tashmë është trajtuar nga Këshilli Gjyqësor, sepse ne shohim padyshim një trend pozitiv. Por, siç thashë, mendoj se trajtimi i rasteve të korrupsionit është diçka në të cilin duhet të shohim ende disa përmirësime”, thekson ai.
Me qëllim të përmirësimi të sistemit të drejtësisë, krerët institucionalë të kësaj fushe kanë nënshkruar më 14 mars, Deklaratën e Përbashkët të Zotimit për reformë në këtë sistem.
Krahas kësaj, shefi i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Genc Nimoni, thotë se deri në fund të vitit do të përfundojnë ndryshimet ligjore.
“Deklarata e përbashkët është nënshkruar mes Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Gjykatës Supreme. Është nënshkruar më 14 mars. Kjo deklaratë synon që deri në muajin qershor të kemi vlerësimet dhe identifikimet e nevojave për ndryshime, të cilat do të shpinin në kontroll të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësim të duhur të performancës të duhur të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pastaj në përmirësim të disiplinimit dhe ndryshime të tjera të nevojshme që i kontribuojnë të gjithë këtyre objektivave. Dhe, pas muajit qershor, bazuar në këto vlerësime dhe rekomandime do të fillojnë ndryshimet adekuate ligjore, ku deri në fund të këtij viti, deri në dhjetor, ne do të kompletojmë këto ndryshime, të cilat synojnë një sistem më llogaridhënës, më efektiv, me rezultate konkrete, me integritet dhe profesional, që në fund ndikojnë edhe në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ai tregon se cilat ndryshime pritet të bëhen.
“Pritet që të kemi ndryshime në Ligjin për Këshillin Gjyqësor, Ligjin për gjykatat, Ligjin për Këshillin Prokurorial, pastaj do të kemi për herë të parë Ligj për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, do të kemi… ligj të ri për disiplinimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, do të kemi forcim të mekanizmave ekzistues për vlerësimin dhe performancën, një vetting i rregullt ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që bëhet në periudha të rregullta dhe bazuar në kritere të qarta profesionale”, tregon ai.
Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për sfidat me të cilat po ballafaqohen dhe nëse kanë përmbushur ndonjë nga rekomandimet e raportit të fundit të EULEX-it.
Shënim: Kjo storie është prodhuar nga OJQ “Qendra për Inovacion dhe Zhvillim” me mbështetjen financiare të EULEX Kosovë. Përmbajtja e tij nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet dhe opinionet e EULEX-it në Kosovë.
/KosovaPress/