Ndizet drita jeshile për ekstradimin e Arbër Çekajt. Gjykata e Shkallës së Parë në Dusseldorf të Gjermanisë ka vendosur pro ekstradimit të pronarit të “Arbi Garden”, ku në kontenierin me banane të kësaj kompanie u kap sasia prej 613 kilogramë kokainë. Ndërkohë nga gjykata Gjermane nuk është shqyrtuar akoma kërkesa e Çekajt për azil.
Gjykata penale e Shkallës së Parë në Dusseldorf të Gjermanisë i ka hapur rrugën ekstradimit drejt vendit tonë, të Arbër Çekajt. Vendimi është dhënë 20 ditë më parë. Pronari i “Arbi Garden” në kontenierin e të cilit u kap sasia prej 613 kilogramë kokainë, ka kërkua azil politik në Gjermani, kërkesë kjo që nuk është shqyrtuar akoma nga Gjykata e Dusseldorfit.
Kjo që do të thotë se nuk mund përcaktohet koha se kur mund ekstradohet biznesmeni. Gjithashtu burime kanë konfirmuar se biznesmeni ka bërë kërkesa të shumta përpara autoriteteve të drejtësisë gjermane, me qëllim pengimin e ekstradimit. Çekaj ka më shumë se një vit e gjysmë që është i arrestuar në Gjermani dhe kërkesën për azil e ka bërë me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta.
Arbër Çekaj është nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, pikërisht për sasinë rekord të kokainës të kapur ndonjëherë në vendin tonë. Tre muaj më parë, prokurori i çështjes Edvin Kondili ka udhëtuar drejt Gjermanisë për t’i komunikuar zyrtarisht akuzat pronarit të “Arbi Garden”.
Ndërkohë që nisja e procesit gjyqësor është penguar pikërisht nga ky i fundit, pasi në vendin tonë nuk ka ardhur letërporosia e Çekajt nga Gjermania, pasi sipas ligjit biznesmeni duhet që të japë pëlqimin e tij për nisjen e procesit dhe të deklarojë nëse do të jetë ose jo i pranishëm në gjykatë, apo do të përfaqësohet vetëm nga avokati.
Në Shqipëri të arrestuar për këtë çështje janë Donaldo Lushaj menaxheri i “Arbi Garden” dhe Armando Pezaku shoferi i kontenierit me banane që e transportoi nga porti i Durrësit drejt magazinave në Maminas.
Arbër Çekaj është i kërkuar edhe nga autoritetet e Ekuadorit për trafikim të drogave të forta. Prokuroria për Krime të Rënda vijon hetimet për të zbuluar se kush ishin porositësit e sasisë për 613 kilogramë kokainë të kapura në kontenierin me banane, nga Kolumbia në vendin tonë, e më pas destinacioni final ishin vendet e Bashkimit Europian./ABC News Albania 24/7