Ambasadorja amerikane në Shkup kritikon punën e Gjykatës së Apelit

schedule08:04 - 26 Prill, 2023

schedule 08:04 - 26 Prill, 2023

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Gjykatës së Apelit në Shkup për shkak të kthimt të lëndëve të profilit të lartë në rigjykim dhe disa lëndëve të tjera që janë vjetërsuar për shkak të mosgjykimit në kohë nga ana e kësaj gjykate.

Më 11 prill të këtij viti, ambasadorja amerikane, siç kanë njoftuar mediat në Shkup, u dërgoi një letër autoriteteve gjyqësore dhe ekzekutive në vend, ku shprehte shqetësimin e saj dhe të SHBA-së për, siç tha ajo, “anulimin e vendimeve ndaj figurave të profilit të lartë që Gjykata e Apelit e cila i ktheu në shkallën e parë”, shkruan REL.

“Çdo ditë e më shumë jam e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të lëndëve [të profileve të larta] që Gjykata e Apelit i ktheu në procedurë të shkallës së parë për rigjykim. Pamundësia e dukshme e gjykatave për të proceduar shpejt çështjet përmes procedurës gjyqësore dhe kalimin e tyre mbrapa ndërmjet Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ul më tej besimin e ulët që publiku ka te gjykatat”, thuhej në letrën e ambasadores Ageler të publikuar nga televizioni Alsat.

Në letrën, të cilën Ageler ia ka adresuar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, disa ministrave të tjerë dhe drejtuesve të Gjykatave, thuhet se SHBA-ja ka investuar për 30 vjet mbi gjysmë miliard euro në sundimin e ligjit, por sipas ambasadores amerikane, “rezultatet sa vijnë dhe tkurren”.

“Për më shumë se 30 vjet SHBA-ja e ka mbështetur Maqedoninë e Veriut në qëllimet e saj, përfshirë sundimin e ligjit dhe qeverisjen efikase. Kemi shpenzuar mbi 560 milionë dollarë për të ndihmuar në këto fusha, përfshirë trajnime dhe programe për shumicën e prokurorëve dhe gjykatësve. Fatkeqësisht, kam frikën se rezultati i ulët i këtij investimi sa vjen e tkurret”, u tha në letrën e Ambasadores Ageler.