Ish-sulmuesi i Partizanit, Kaleb Ekuban, ishte protagonist i madh në Ligën e Europës duke shënuar 3 gola. Falë tij, Trabzonspori i Turqisë është shumë pranë fazës së grupeve.
Tifozët e kuq nuk e kanë harruar aspak.
Kaleb Ekuban ishte një zbulim i madh i Superligës shqiptare, duke shkëlqyer tek Partizani edhe pse pa titull, ndërsa la shenjë edhe në mbrëmjen e fundit europiane.
Sulmuesi nga Gana ishte heroi i Trabzonsporit, duke i dhënë një fitore thuajse kualifikuese për në fazën e grupeve të Ligës së Europës, me 3 gola të realizuar në Greqi.
Sukses 3-1 i turqve në derbin me grekët e AEK-ut brenda në Athinë, madje me përmbysje rezultati, pasi vendasit kaluan të parët në avantazh falë kroatit Marko Livaja.
Ekuban shënoi në minutat 29, 44 e 70-të, duke treguar formën e tij të shkëlqyer.
Faqja zyrtare e Ligës së Europës në Tuiter e veçoi 27-vjeçarin për tregolëshin, ndërsa ai i justifikoi shpresat e Trabzonsporit që ia bleu kartonin nga Lids Junajtid I Anglisë.
Anglia, ndërkaq, pati rast për të qenë e lumtur pasi përfaqësuesja e saj në Ligën e Europës, Uolvesi, arriti një fitore të madhe.
Skuadra e trajnerit portugez Nunjo Espirito Santo triumfoi 3-2 në Itali ndaj Torinos, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt grupeve.
Në një derbi klasik të kontinentit të vjetër, Uolvesi I habiti italianët me zgjedhjet e trajnerit portugez, duke marrë epërsinë 2-0.
Pavarësisht reagimit të Torinos, skuadra e Premier Ligës ishte tepër e fortë, duke dominuar sidomos në pjesën e dytë, ndërsa vetëm një penallti e fituar dhe e shënuar nga Beloti në fund I la italianët me një shpresë sado të vogël.
Dueli tjetër klasik i mbrëmjes ishte ai franko-gjerman mes Strasburgut dhe Ajntrahtit të Frankfurtit.
Skuadra vendase, përfaqësuese e Alsasës, triumfoi 1-0 ndaj gjysmëfinalistit të vjetshëm të Ligës së Europës me golin e shënuar nga Kevin Zol. /ABC News Albania 24/7