“Zhvatja”, zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut apel partive politike

schedule16:43 - 22 Gusht, 2019

schedule 16:43 - 22 Gusht, 2019

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani kërkoi hetim të shpejtë dhe efikas për rastin “Zhvatja”, por dhe që ky rast të mos keqpërdoret për qëllime ditore të politikës, pasi kjo mund të cënojë figurën e  vendit tek partnerët ndërkombëtarë. Ai u ka bërë apel partive politike në vend që të ulen në bisedime për të arritur një marrëveshje rreth zëvendësuesit të prokurores speciale Janeva, e cila aktualisht ndodhet në paraburgim.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, u bëri thirrje të gjitha kampeve politike që të përpiqen të gjejnë kompromis rreth ligjit për Prokurorinë Publike, sepse sipas tij, në kushte krize vetëm kompromisi është terapia e duhur.

Ai nuk u përgjigj konkretisht se a do të përkrahte BDI-në ndonjë emër nga prokurorët aktual që janë në Speciale për ta zëvendësuar Janevën, por rikujtoi institucionet se reagimi ndaj situatës së krijuar do të jetë shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe do ta përcaktojë kahjen e mëtutjeshme të vendit.

Këshilli i Prokurorëve dhe Parlamenti, duhet të gjejnë mundësi për të gjetur një zgjidhje edhe për të mbushur zbrazëtirën institucionale që është krijuar me rastin e fundin, por ajo çka është edhe më e rëndësishme, për të miratuar ligjin për prokurori, i cili në një mënyrë të përhershme dhe të qëndrueshme do të zgjidh çështjen e Prokurorisë Publike, por edhe atë të Prokurorisë Speciale.

Edhe nga VMRO-DPMNE thonë që nuk është koha që të flitet për zëvendësen e Janevës. Ata duan të presin epilogun nga grupet e punës për Ligjin për Prokurori Publike, por nga përgjigja e Arsovskit, nënkuptohet se VMRO DPMNE nuk do të pranonte që specialen të vazhdojë ta udhëheqë ndonjëri nga Prokurorët aktual.

Të hetohet në mënyrë të saktë se kush ka qenë në skemën e zhvatjes. Kjo është prioriteti, që të hetohet përzierja e prokurorëve të speciales dhe të politikanëve, menjëherë pasi të përfundon hetimi mund të flasim për pasardhës. Por ligji është i qartë se kush mund të jetë pasardhës. Nuk duhet të harrohet se ekziston grup i punës ku diskutohet për ligj të ri për Prokurori Publike.

Sipas informatave të fundit nga burimet partiake, pas një pauze disa javore, grupet e punës sërish do të takohen nesër. Disa ditë më parë, Aleanca për Shqiptarët propozoi që prokurori që do ta udhëheq sektorin e ri për ndjekje të Korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar të jetë i huaj, e alternative e propozoi Fatime Fetain./ABC News Albania 24/7