Rrugëtimi i Interit dhe Milanit këtë sezon në Europë ka qenë magjik dhe jo vetëm për faktin se të dyja do të ndeshen së bashku në gjysmëfinalet e Champions League, por gjithashtu sepse UEFA ka mbushur arkat e dy klubeve të Milanos.
Milani ka arritur të mbledhë shumë para deri më tani nga rrugëtimi në Champions këtë sezon, ku në rastin më të keq nëse eliminohet nga gjysmëfinalja, do të shohë llogarinë e saj të depozituar me të paktën 120 milionë euro në total, duke llogaritur edhe fitimet nga biletat.
Në anën tjetër, Interi gjithashtu fërkon duart dhe drejtuesit janë shumë të lumtur. Zikaltërit do të arkëtojnë rreth 115 milionë euro në total deri në gjysmëfinale, por gjithashtu kjo shifër lumturon drejtuesit për një arsye të veçantë. Interi nuk është i detyruar tashmë të shesë lojtarë të rëndësishëm të skuadrës për të rregulluar financat, mjaftojnë vetëm shitje të lojtarëve të rinj apo atyre me kosto të ulët për të vendosur në vijë bilancat. Pra, nuk rrezikohen lojtarë të rëndësishëm të cilët mund të nxirreshin në merkato si “kurban”./ h.ll/abcnews.al