Takimi Pompeo – Vuçiç, sekretari amerikan i shtetit: Të rifilloje dialogu me Kosovën

schedule10:20 - 21 Gusht, 2019

schedule 10:20 - 21 Gusht, 2019

Gjatë takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vucic në Uashngton, Sekretari Amerikan i Shtetit Majk Pompeo kërkoi ri[fillimin e dialogut me Kosovën. Ai theksoi se njohja reciproke duhet të vijë në bazë të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua të martën në Nju Jork me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetin tuitter sekretari Pompeo theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Serbisë të përqëndrohet në synimin e saj strategjik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rifilluar bisedimet me Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse drejt normalizimit të marrëdhënieve që ka në qendër njohjen reciproke. Sipas zëdhënëses, Sekretari Pompeo ritheksoi që të dyja palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë me njera tjetrën në frymën e kompromisit dhe qëndrimeve fleksibël të nevojshme për marrëveshjen.

Presidenti serb, nga ana e tij u shpreh se kishte lutur sekretarin amerikan të shtetit që “administrata amerikane të përpiqet, ndonëse këtë e ka bërë edhe deri tani, më fuqishëm që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat” ndaj mallrave serbe.

Ai tha në programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se me sekretarin Pompeo bisedoi edhe “për rëndësinë e mbrojtjes së kishave e manastireve në Kosovë” dhe se Serbia është e gatshme “pavarësisht nga politikat e brendshme në Serbi që në çdo çast të fillojë bisedime të hapura politike me shqiptarët.

Bisedimet janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë. /ABC news albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!