“Zhvatja”, dëshmon prokurorja speciale

schedule20:56 - 20 Gusht, 2019

schedule 20:56 - 20 Gusht, 2019

Kryeprokurorja speciale në ikje e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva ka dëshmuar të martën në lidhje me çështjen “Zhvatja”. Në një prononcim për mediat, Janeva është shprehur e bindur për pafajësinë e saj dhe tha se me dëshminë e dhënë do të përshpejtojë hetimet.

Për dallim nga konferenca për media që e pati disa javë më parë, ku shihej se ishte e në humor jo të mirë, kësaj radhe Janeva dukej me e qetë. Erdhi në Prokurorinë për krim të organizuar dhe korrupsion të lartë, madje edhe u ndal dy herë për të folur rreth rastit “Zhvatja”. Para se të hyjë në prokurori nuk dha shumë detaje…

“Sa i përket deklaratës sime sot, shpresoj se me argumentet e mia dhe me deklaratën time do ta përshpejtoj hetimin”.

E pasi doli, edhe pse avokati i saj tentoi që ta ndalë…

“Nuk je duke dhënë deklaratë para autoriteteve…”.

Ajo u përgjigj në disa pyetje, por gjithmonë duke u mbrojtur se nuk mund të flasë më shumë për shkak procedurës hetimore.

“Bëhet fjalë për dy telefona që i kam përdorur, të dy janë marrë dhe janë dorëzuar për analizë në prokurori”, tha Janeva.

“Por nuk janë konfiskuar kur janë kërkuar, por më vonë pasi janë formatuar…”!?

“Jo, bëhet fjalë për telefon të tretë që është i humbur”, u shpreh Janeva.

Ajo nuk deshi të përgjigjet në pyetjen se a ka politikan të përzier, kurse nuk e di as se ku është Orce Kamçevi, i dyshuari kryesor në rastin “Perandoria” me të cilin Janeva thotë se ka folur për ta bindur për të nënshkruar marrëveshje./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!