Besnik Dervishi, komisioner për mbrojtjen e të dhënave personale, tha në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, se brenda vitit do të miratohet ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale. Ai tha se kanë nxjerrë një udhëzues në ndihmë të KQZ, subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve.
Sipas tij, partitë politike e kanë të drejtën e aksesit në listat zgjedhore apo në përpunimin e të dhënave personale. Këtë gjë, shtoi ai ua lejon Kodi Zgjedhor por ajo që duhet të bëjë çdo subjekt politik është që të zbatojnë parimet dhe kriteret e përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale.
“Mbrojtja e të dhënave personale është e sanksionuar në Kushtetutë dhe është e thënë shumë qartë që askush nuk mund të detyrohet përvecse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhënat që lidhen me personat. Kushtetuta e ka vendosur në nivelin më të lartë të mbrojtjes.
Në radhë të parë, përcakton vetë vullnetin e subjektit të të mbrojtjes së të dhënave që është qytetari dhe nga ana tjetër lejon përpunimin vetëm në raste kur parashikohet në ligj. Në rastin e një procesi zgjedhor është e parashikuar në ligj sepse është e parashikuar në Kodin Zgjedhor.
Sepse pa listat e zgjedhësve nuk mund të zhvillohet procesi zgjedhor dhe në këtë mënyrë, çdo përpunim që bëhet nga KQZ dhe strukturat e saj periferike, përfshirë edhe subjektet politike që regjistrohen, legjitimohen nga Kodi Zgjedhor për përpunimin e të dhënave personale.
Ligji që kemi ende në fuqi, besoj se brenda këtij viti do të miratohet edhe ligji i ri për mbrojtjen e të dhënave personale që është transpozimi i rregullore së re të BE-së, që do të ndi,hmojë po vetëm strukturat publike por edhe subjektet private sepse përpunimi i të dhënave personale bëhet në çdo fushë të jetës.”, tha ai./abcnews.al