Peter Zingraf do të jetë ambasadori i ri i Gjermanisë në Shqipëri. Presidenti i Republikës, Ilir Meta pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë.
Gjatë ceremonisë zyrtare të zhvilluar në Presidencë, kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.
“Shqipëria do vijojë të mbështetet me besim dhe bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë tek Gjermania mike dhe partnere strategjike. Ne mirëpresim angazhimin e sinqertë dhe vendimtar të Bundestagut për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”, theksoi Meta, duke vlerësuar vizionin e Kancelares Angela Merkel për integrimin e vendit tonë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE.
Zingraf do të zëvendësojë në detyrën e ambasadorit të Gjermanisë në vendin tonë diplomaten Susan Schutz./ABC News Albania 24/7