Presidenti rus Vladimir Putin po viziton Francën me ftesë të homologut Makron. Në fokus të bisedimeve janë çështje si Ukraina, Irani dhe Siria, por edhe respektimi i normave të demokracisë, gjë që shefi i pallatit Elize ia ka kërkuar me ngulm atij të Kremlinit.
Presidenti francez Emanuel Makron i ka thënë homologut rus Vladimir Putin se Moska duhet t’i zbatojë parimet themelore të demokracisë. Makron, që ka pritur shefin e Kremlinit në rezidencën e tij verore në jug të Francës, tha se shpreson që së bashku të shënojnë progres në arritjen e një zgjidhjeje paqësore të krizës në Ukrainë.
Ai u shpreh gjithashtu se është me rëndësi që vendet të ruajnë kontaktet me njëra-tjetrën për të zgjidhur krizat ndërkombëtare.
“Ne e kemi quajtur këtë stinë sezonin e lirisë së protestave, të shprehjes dhe të së drejtës për të garuar në zgjedhje, që duhet të respektohet nga Rusia dhe çdo vend anëtar i Këshillit të Europës”, tha Makron në konferencën e përbashkët për shtyp.
Moska është tronditur së fundmi nga protesta masive që zgjasin prej më shumë se një muaji, pasi qeveria ruse u ndaloi kandidatëve të opozitës të garonin në zgjedhjet vendore.
Makron dhe Putin thanë se në takimin mes tyre do të diskutojnë edhe për uljen e tensioneve sa i takon çështjes së Iranit dhe Sirisë, si dhe asaj për kontrollin e armëve.
Nga ana e tij, Putin i tha homologut francez se nuk sheh tjetër alternativë krahas asaj që njihet si “formati i Normandisë” për të zgjidhur krizën në Ukrainë. Ai shtoi se bisedat telefonike të zhvilluara me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski i kanë dhënë një optimizëm të moderuar për zgjidhjen e problemit./ABC News Albania 24/7