Për analistët në Maqedoninë e Veriut, situata e krijuar në vend pas publikimit të videove të çështjes “Zhvatja” paralajmëron një vjeshtë të nxehtë politike. Ata vlerësojnë se e vetmja rrugëdalje nga kjo situatë është ndryshimi i ligjit për Prokurorinë e Përgjithshme.
Duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, njohësit e këtyre rrethanave vlerësojnë se Maqedonia e Veriut për momentin është në një udhëkryq, si atë të brendshëm por edhe të jashtëm. Rasti ‘Zhvatja’ dhe implikimet që mund të ketë ky rast në skenën politike, për analistin Isak Sherefi, Maqedonisë së Veriut janë duke i kushtuar shumë.
Isak Sherifi, analist: “Maqedonia këto ditë do t’i kalojë edhe ditët më të vështira, për shkak se problemi tashmë është hedhur brenda përbrenda Prokurorisë Speciale. Në të njëjtën vijë është edhe Presidenti Stevo Pendarovski, i cili kërkon hetim më të zgjeruar kundër këtyre hetimeve që ndodhën me aferën ‘Zhvatja’. Faktikisht, ndaj mendimin se Maqedonisë është duke i kushtuar shumë si në arenën ndërkombëtare por edhe në establishmentin politik brenda përbrena Maqedonisë së Veriut”.
Nga ana tjetër, analisti Naser Ziberi vlerëson se te qytetarët po humbet shpresa se në Maqedoni mund të vendoset ligji, e drejta të del në sipërfaqe dhe të pengohen gjithë ata padrejtësi që në 10 vitet e kaluar ndodhën në RMV. Sipas Ziberit struktura aktuale e qeverisjes si rezultat i ngjarjeve të fundit po e humb dalëngadalë mbështetjen e qytetarëve.
Naser Ziberi, analist: “Qeveria aktuale mendoj se do ta kalojë këtë fazë dhe supozoj se zgjedhjet ardhshme do të jenë ata të rregullat ose me një afat prej tre muaj të parakohshme, sepse vendin e pret anëtarësimi i plot në NATO, marrja e datës për fillim të negociatave dhe këto duhet të jenë prioritetet e politikës, por struktura aktuale e qeverisjes po e humb dalëngadalë mbështetjen e qytetarëve si rezultat e këtyre ngjarjeve aferave në pamundësi të qeverisë ta luftoj këtë situatë”.
Ndërkohë, partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO–DPMNE kërkon dorëheqje të kryeministrit Zoran Zaev dhe zgjedhje të parakohshme. Njëkohësisht, opozita paralajmëroi se në shtator do të filloj edhe protestat. Duke u bazuar në këto qëndrime të opozitës për Analistin Isak Sherifi vendin e pret një vjeshtë e nxehtë politike.
Isak Sherifi, analist: “Si duket VMRO-ja është e mobilizuar, qeveri teknike ka që 6 muaj që kërkon Vmro-DPMNE-ja dhe ndaj mendimin që këto protesta do të japin një vrull mjaftë të fuqishëm në shtator, mirëpo nga opozita maqedonase, shtrohet pyetja çfarë bën opozita shqiptare. VMRO-ja nga kongresi i fundit ka dalë më e fuqishme më e strukturuar dhe më e organizuar prandaj edhe kreu i kësaj partie kërkon qeveri teknike e cila siç ka theksuar ai do të jetë shpëtim për Maqedoninë e veriut në prag të negociatave me Bashkimin Evropian”.
Sipas analistit Naser Ziberi, Prokurorja Katica Janeva është dëshpërimi më i madh i kësaj periudhe në vend, pasi sipas tij ajo e vrau shpresën te qytetari se do të vendoset drejtësia. Ai shton se e vetmja rrugëdalje është të ndryshohet urgjentisht Ligji për Prokurorinë e Përgjithshme dhe në kuadër të kësaj prokurorie të gjendet zgjidhje për Prokurorinë Speciale./ABC News Albania 24/7