Një bombë ka shpërthyer në një dasmë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, duke vrarë 63 persona dhe plagosur mbi 180 të tjerë. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë deklaruar për BBC se sulmi u krye nga një atentator vetëvrasës.
Shpërthimi ndodhi në një zonë në perëndim të qytetit, e banuar kryesisht nga myslimanë shiitë. Guerrilasit talebanë mohuan përgjegjësinë e sulmit, që nuk është marrë përsipër nga asnjë grup tjetër.
Por myslimanët sunitë, përfshirë talebanët dhe Shtetin Islamik, i kanë vënë shpesh herë në shënjestër minoritetet shiite në Afganistan dhe Irak. Ministria e Brendshme afgane konfirmoi bilancin e viktimave disa orë pas ngjarjes.
Ndërkohë, foto të publikuara në rrjetet sociale tregonin trupa të shtrirë mes tavolinave e karrikeve të kthyera përmbys. Në dasmat afgane ka zakonisht shumë të ftuar që mblidhen në salla të mëdha, ku burrat festojnë të ndarë nga gratë dhe fëmijët./ABC News Albania 24/7