Johnson, përpjekje për rinegocimin e Brexit

schedule14:56 - 18 Gusht, 2019

schedule 14:56 - 18 Gusht, 2019

Kryeministri britanik Boris Johnson do të përpiqet të bindë liderët europianë që të rinegociojnë marrëveshjen e Brexit. Kërkesën e tij, ndonëse jo me shumë insistim, Johnson do ta bëjë gjatë javës, kur do të vizitojë Berlinin dhe Parisin në prag të samitit të G7-s.

Kryeministri britanik Boris Johnson pritet t’u thotë liderëve europianë kur të takohet me ta më vonë gjatë javës se një marrëveshje e re për Brexit është e nevojshme. Megjithatë, Johnson ka bërë me dije se diskutimet mbi Brexit gjatë vizitave të tij në Francë dhe Gjermani do të jenë të shkurtra, pasi palët do të fokusohen në tema të tjera.

Ai pritet t’u thotë partnerëve europianë se, Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja më 31 Tetor me apo pa një marrëveshje, shkruan BBC në edicionin online. Ndërkohë, e përjavshmja “Sunday Times” ka publikuar një dokument të qeverisë që paralajmëron për një mungesë të theksuar ushqimi, ilaçesh dhe karburanti në rast të një daljeje pa marrëveshje.

Dokumenti thotë gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar mund të përballet për muaj të tërë me një çoroditje të porteve të saj, ndërsa planet për të shmangur një përplasje kufitare me Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës do të rezultojnë të mangët.

Duke reaguar, qeveria britanike deklaroi se nuk pret të ndodhë ajo çka thuhet në dokument, por nënvizoi se bëhet fjalë për skenarë që po analizohen në kuadër të opsionit të daljes pa një marrëveshje.

Kryeministri Johnson po bëhet gati të udhëtojë drejt Berlinit të mërkurën, ku do të takohet me kancelaren Angela Merkel; ndërsa të enjten ai do të jetë në Paris për një takim me presidentin Emanuel Macron. Sidoqoftë, thuhet se bisedimet e tyre do të fokusohen në çështje si politika e jashtme, siguria dhe tregtia në prag të samitit të G7-s./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!