Si e zbuloi FBI-ja të dyshuarin për rrjedhjen e informacioneve sekrete të Pentagonit?

schedule07:16 - 15 Prill, 2023

schedule 07:16 - 15 Prill, 2023

Sipas të dhënave të gjykatës, faturat e paguara në një platformë të mediave sociale në internet dhe intervistat me një përdorues tjetër ndihmuan FBI-në të identifikonte anëtarin e Gardës Kombëtare Ajrore në Masaçusets si të dyshuarin për rrjedhjen e dokumenteve ushtarake shumë të klasifikuara.

Hollësitë e reja u bënë të njohura, pasi 21 vjeçari Jack Teixeira, doli në gjykatë për t’u përballur me akuzat në bazë të Ligjit për Spiunazhin për marrjen dhe mbajtjen e paautorizuar të informacioneve të klasifikuara dhe të mbrojtjes kombëtare.

Një gjykatës federal urdhëroi që ai të mbahej i arrestuar deri në seancën e paraburgimit javën e ardhshme.

Jack Teixeira u arrestua të enjten nga agjentë të armatosur rëndë, pas një hetimi penal njëjavor për zbulimin e të dhënave të qeverisë, një shkelje që ekspozoi para botës vlerësime sekrete mbi luftën në Ukrainë, aftësitë dhe interesat gjeopolitike të vendeve të tjera dhe çështje të tjera të sigurisë kombëtare.

Hetuesit besojnë se Jack Teixeira ishte drejtuesi i një grupi bisedash private në internet në Discord, një platformë e mediave sociale e njohur për njerëzit që luajnë lojëra online. Sipas një deklarate të FBI-së, të dhënat e pagesave që FBI-ja mori nga platforma Discord, e cila ka thënë se po bashkëpunon me byronë, ndihmuan hetuesit të identifikonin Jack Teixeiran.

Sipas deklaratës me shkrim të paraqitur në gjykatë, FBI-ja intervistoi të hënën një person që kishte dijeni për postimet në internet të Jack Teixeiras. Ai person, i cili nuk është identifikuar në deklaratë, i tha FBI-së se një emër përdoruesi i lidhur me të dyshuarin Teixeira filloi të postonte qysh në dhjetor informacione që dukej të ishin të klasifikuara.

Deklarata sugjeron se Jack Teixeira fillimisht i shtypte në kopje të reja dokumentet por më pas i mori në shtëpi për t’i fotografuar, sepse ai “ishte i shqetësuar se mund të zbulohej duke bërë transkriptimet e tekstit në vendin e punës”.

Kjo ndryshon nga ajo që postuesit e tjerë i kanë thënë agjencisë Associated Press dhe mediave të tjera, se përdoruesi që ata e quanin “O.G” filloi të postonte imazhe dokumentesh sepse ishte i pakënaqur që përdoruesit e tjerë nuk po e merrnin seriozisht.

Deklarata e paraqitur në gjykatë pretendon gjithashtu se Jack Teixeira u diktua më 6 prill – ditën kur gazeta New York Times publikoi për herë të parë një shkrim në lidhje me rrjedhjen e dokumentave – duke kërkuar për fjalën “rrjedhje” në një sistem të klasifikuar. FBI-ja thotë se kjo linte të kuptonte se Teixeira po përpiqej të gjente informacion mbi hetimin për gjetjen e përgjegjësisë për rrjedhjet.

Administrata e presidentit Biden ka bërë përpjekje intensive për të vënë nën kontroll pasojat e mundshme diplomatike dhe ushtarake nga rrjedhjet që kur u njoftua për herë të parë për to javën e kaluar, duke marrë masa për të siguruar aleatët dhe për të vlerësuar përmasat e dëmit.

Dokumentet e klasifikuara – të cilat nuk janë konfirmuar nga zyrtarët amerikanë – variojnë nga informacione që tregojnë pozicionet ushtarake të Ukrainës deri te vlerësimet e mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën dhe tema të tjera të ndjeshme, përfshirë rrethanat kur Presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë armë bërthamore.

Nuk ishte menjëherë e qartë se si Jack Teixeira do të kishte pasur qasje tek të dhënat, por një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes i tha agjencisë AP të enjten se si specialist i teknologjisë së informacionit përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake, anëtari në moshë të re i Gardës, kishte pasur një nivel sigurie më të lartë.

Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, në një deklaratë të lëshuar pas arrestimit, tha se Pentagoni do të kryejë një rishikim të “qasjes së inteligjencës, përgjegjshmërisë dhe procedurave të kontrollit” për të parandaluar që një rrjedhje e tillë të ndodhë përsëri./VOA