Lazio ka vazhduar serinë pa humbje në Kampionatin italian të futbollit, Serie A, teksa mbrëmjen e sotme ka triumfuar me rezultatin e pastër 0 me 3, në arenën “Stado Alberto Piço”, ndaj Spezia-s, në sfidën e vlefshme për javën e 30-të të kampionatit.
Dominimi i Hysajt me shokë u pa që në pjesën e parë të sfidës, me golin e parë që do të shënohej nga kapiteni “bomber”, Ciro Immobile në minutën e 36’-të të sfidës, pas ekzekutimit perfekt të një 11-metërshi, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin 0 me 1.
Me fillimin e pjesës së dytë djemtë e Maurizio Sarri u hodhën në kërkim të golit të dytë dhe vetëm 7 minuta nga fillimi i lojës, anësori brazilian, Felipe Anderson dyfishon shifrat për të tijët me një goditje fantastike. Mirëpo, nuk mbaron me kaq, pasi në minutën e 89’-t të sfidës një kundërsulm i miqve finalizohet nga 22-vjeçari Marcos Antonio, i cili i vetëm lëshohet me shpejtësi drejt portës kundërshtare dhe pasi “mashtron” portierin e vendasve çon topin në rrjetë duke shënuar golin e parë në Serie A.
Me këtë fitore, Lazio mbetet në vendin e 2-të në kampionat, teksa ka arritur në kuotën e 58 pikëve dhe krijon një shkëputje prej 5 pikësh me Roma-n e vendit të 3-të, me “shqiponjat” që vazhdojnë të qetë marshimin drejt sigurimit të një bilete për sezonin e ardhshëm të UEFA Champions League. Në krahun tjetër Spezia mbetet në kuotën e 26 pikëve dhe rrezikon seriozisht të bjerë në zonën e ftohtë të kategorisë, me Veronan që ka 4 pikë më pak, por 1 ndeshje të prapambetur. /i.m /abcnews.al
SHIKONI GOLAT:
Goli i Ciro Immobile, 0-1:
Goli i Felipe Anderson, 0-2:
Goli i Marcos Antonio, 0-3: