Drejtori i Ujësjellës Kanalizime në Tiranë, Elton Kacidhja thotë se përmes 4 projekteve, do të mundësohet furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm.
Në një intervistë për ABC News, Kacidhja u shpreh se një nga projekteve, është ndarja e Tiranës në 54 minizona, të pavarura nga njëra-tjetra.
Kacidhja nënvizoi se do të përdoret një sistem inteligjent, për të bërë komandimin elektronik të ujit në kryeqytet.
“Projekti i tretë, janë minizonat, ndarja e qytetit në 54 minizona, të pavarura nga njëra-tjetra të cilat lidhen me unazën e presionit dhe japin çdo zone, ujë me presionin e duhur dhe ujë cilësor. Kjo sjell, nëse sot kemi një defekt në linjën e Shën Mërisë dhe mbetet gjysma e Tiranës pa ujë, nesër, nëse do të ketë një defekt, nuk do të mbetet gjysma e Tiranës pa ujë, por 1 nga 54 minizonat që mund të ketë defekt.
Ne, nëpërmjet komandimit të sistemit skadre, që është sistemi inteligjent që përveçse prodhon raporte në lidhje me sasinë, presionin e ujit, bën komandimin elektronik të të gjithë rrjetit të ujësjellësit në qytet. Nuk do të kemi nevojë për njerëz që shkojnë dhe hapin sarçineskën, por nga një pult komandimi, do të komandohet i gjithë uji i pijshëm në qytet. Nëse zona 1 ka problem, bllokohet zona 1, nuk afektohet zona 2 e kështu me radhë. Kalojmë në një sistem të ri, që i jep fund njëherë e mirë kalvarit të përpjekjeve të Tiranës për të pasur ujë 24 orë dhe me cilësi”, theksoi ai./abcnews.al