Pretendimet se anëtarët e forcave të armatosura britanike janë vendosur në Ukrainë janë publikuar në rrjetet sociale, duke cituar dokumente të klasifikuara, ku ende nuk është e qartë se si dhe nga kush.
Ditën e djeshem, Ministria Britanike e Mbrojtjes paralajmëroi se informacionet e rrjedhura nuk ishin të vërteta dhe mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të përhapur “dezinformata”.
Megjithatë, mediat, duke përfshirë rrjetin publik BBC dhe gazetën The Guardian, raportojnë se disa nga dokumentet, të cilat duket se janë autentike, tregojnë se deri në 50 anëtarë të forcave speciale të Ushtrisë Britanike ishin “dislokuar” në shkurt dhe mars të këtij viti në Ukrainë, së bashku me dhjetëra të tjerë nga shtete të tjera perëndimore.
Ata ishin pothuajse dy herë më shumë se personeli i forcave speciale amerikane (14) dhe francezë (15). Dokumentet, nuk theksojnë se ku ishin vendosur saktësisht pjesëtarët e forcave speciale dhe as çfarë po bënin saktësisht.
Para se të shpërthente lufta në shkurt 2022, Britania kontribuoi në trajnimin e personelit ukrainas. Sipas mediave amerikane, dokumentet mund të jenë postuar fillimisht në një server të platformës Discord, të popullarizuar në mesin e adhuruesve të lojërave video dhe kanë mbetur aty pa u vënë re derisa kanë filluar të qarkullojnë në faqet e rrjeteve sociale.
Publikimi i dokumentave ka shqetësuar qeveritë në Perëndim, veçanërisht atë të SHBA-së. I pyetur nëse Uashingtoni pret të publikohen më shumë dokumente të tilla, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha të martën se “e vërteta dhe përgjigjja e sinqertë për pyetjen tuaj është se ne nuk e dimë.
/abcnews.al